Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….
Të gjykosh nëse një sjellje është e duhura ose jo nuk është e lehtë. Që të vlerësosh sjelljen e një fëmije duhet pasur parasysh mjedisi në të cilin është rritur fëmija, zhvillimi i tij njohës.
- Kur bëhet vlerësimi i fëmijës kemi parasysh disa faktorë:
- 1 koha në të cilën vlerësohet fëmija
- 2 normat e shoqërisë
- 3 mosha e fëmijës, pasi sjellja e tij varet shumë nga zhvillimi biologjik dhe psikologjik i tij.
Ka edhe shumë faktorë të tjerë psikologjik. Po paraqesim një klasifikim të sjelljes, i cili bazohet në marrëdhëniet e individit me mjedisin ku jeton.
- Nëse një sjellje është e kënaqshme dhe e pranueshme për shoqërinë, konsiderohet si “normale”.
- Nëse sjellja nuk plotëson kërkesat individuale, por është e pranueshme nga shoqëria, krijohen probleme tek individi dhe shfaqen vështirësi.
- Nëse një sjellje plotëson kërkesat individuale, por nuk pranohet nga shoqëria, atëherë konsiderohet si “jonormale”.
- Nëse sjellja nuk pranohet as nga shoqëria, as nga individi, atëherë kemi të bëjmë me “sëmundje”.
Kur bëhet fjalë për të vlerësuar një fëmijë, rritet shkalla e vështirësisë, pasi gjithçka që lidhet me fëmijën duhet parë brenda kontekstit të zhvillimit të tij.
Shfaqja e një simptome klinike mund të ketë shkaqe të ndryshme dhe të interpretohet në mënyra të ndryshme.
Tek një fëmijë i traumatizuar si pasojë e dhunës së organizuar, shohim se interpretimi apo vlerësimi i një sjelljeje mund të jetë i ndryshëm. Kjo sepse në rrethin e personave të traumatizuar bëjnë pjesë edhe pjestarët e familjes së fëmijës, të afërmit, ndihmësit ndoshta edhe profesionistët. Kështu që personat e traumatizuar reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj sjelljeve të fëmijëve. Ato mund ti mbivlerësojnë simptomat, ose mund ti injorojnë ato për shkak të situatave në të cilat ndodhen.
Kur vlerësojmë reagimet e një ngjarjeje, duhet të kemi parasysh jo vetëm intensitetin e ngjarjes, por edhe gjendjen e mëparshme të fëmijës, pasojat, konfliktet ndërpersonale. Kështu që është e vështirë të gjykosh mbi një sjellje, ta trajtosh atë si një sëmundje, ta shmangësh, ose ta vlerësosh brenda një kohe të shkurtër. Sjellja e fëmijës, vëzhgimi i saj kërkon një kohë të gjatë dhe rivlerësime të herëpashershme.
Ajo ç’ka thamë më sipër mund të ilustrohet fare mirë përmes këtij shembulli:
- Do të flasim për një nga problemet më të zakonshme që ndeshen tek fëmijët e traumatizuar dhe pikërisht për problemet e gjumit.
Fëmija në këtë situatë fle pak, zgjohet shpesh natën duke qarë, ecën në gjendje gjumi, ka frikë të flerë vetëm. Nëse për të gjitha këto shqetësime një prind i pyetur do të përgjigjej vetëm se “thjesht ka frikë të flerë vetëm”, ne do ta kishim tepër të vështirë të përcaktonim nëse fëmija ka çrregullime dhe cilat janë ato.
Këto çrregullime të gjumit lidhen me frikën e ndarjes nga prindërit, p.sh një fëmijë tre vjeçar ka frikë të flerë vetëm sepse babai i tij është vrarë në luftë. Në këtë situatë nëna e merr fëmijën në shtratin e vet, pasi edhe ajo gjen ngushëllim duke pasur fëmijën pranë. Megjithkëtë, ajo nuk mund ta qetësojë dot vajzën që qan vazhdimisht.
Në këtë rast kjo mënyrë sjelljeje është e shoqëruar nga kërkesa për të mbajtur fotografinë e babait pranë. Nëna ndodhet vetë në një gjendje depresive, nuk mund të qetësojë dot vajzën, ajo qan bashkë me të.
Lind pyetja: si duhet konsideruar një reagim i tillë?– Duke pasur parasysh moshën e vajzës, ajo nuk ka një perceptim konkret për vdekjen, i cili përforcohet edhe nga gjyshja e saj, se babai është në gjumë dhe një ditë do të zgjohet. Kështu reagimi i vajzës mund të konsiderohet normal. Ajo kërkon babain e saj, por nuk kupton vdekjen si proçes. Nëse do të reagonte duke pritur e shpresua tek një forcë magjike që do ta zgjojë babain e saj, kjo ndoshta duhet konsideruar si “jonormale”.
Mund të ndodhë që kjo sjellje të mos konsiderohet si “jonormale”, sidomos në rastet kur ajo është pjesë e kulturës dhe përforcohet nga të rriturit dhe mjedisi ku jeton.
Nëse kjo sjellje do të shfaqej tek një adoleshent që jeton në një zonë urbane, kjo do të konsiderohej “jonormale” dhe ndoshta simptomë e një sëmundjeje mendore. Që të arrish në një përfundim të saktë është tepër e vështirë.
Le të shohim një shembull tjetër që ka të bëjë me një fëmijë që paraqet probleme të të folurit.-Në një familje që ndodhet nën stres të vazhdueshëm dhe është e traumatizuar, fëmija sillet dhe vepron brenda mjedisit të vet familjar, sepse dhe fëmija është pjestar i kësaj familjeje. Mund të themi se bëmë vlerësimin e sjelljes së fëmijës brenda kontekstit familjar. Mund të gjykojmë se fëmija sikundër dhe anëtarët e tjerë të familjes ndodhen në një fazë normale të hidhërimit apo humbjes, ose kemi të bëjmë me një gjendje depresive.
Nëse do ta vëzhgonim fëmijën jashtë ambjentit familjar p.sh në ambjentet e shkollës, do të vinim re se:
- Nëse fëmija shfaq të njëjtën sjellje si në familje atëherë bindemi për ekzistencën e një gjendjeje depresive.
- Nëse fëmija shfaq një sjellje krejt të ndryshme, përshtatet lehtë me shokët, merr pjesë në lojë, kemi të bëjmë me një reagim normal të humbjes.
- Nëse fëmija është i shqetësuar, me elementë të agresivitetit, i paaftë për të komunikuar, por në familje sillet ndryshe (i shmanget realitetit), fëmija në këtë rast ka nevojë për ndihmë urgjente nga ana e profesionistëve.
- Nëse do të rikujtonim çrregullimet e gjumit tek fëmija i traumatizuar, do të shohim se edhe çrregullimet e të ushqyerit ndjekin të njëjtën rrugë.
Një fëmijë i traumatizuar nuk do të hajë, është anoreksik. Si duhet kuptuar kjo mungesë oreksi? – Për të dhënë një përgjigje sa më të saktë duhet që fëmija të vëzhgohet gjatë gjithë ditës, në vaktet e ushqimit. Duhet parë e vëzhguar edhe nëna që e ushqen, sjellja e saj, marrëdhënia me fëmijën. Fëmija ka filluar të mos hajë pas një ngjarjeje traumatike. Mund të ndodhë që problemi të qëndrojë edhe tek nëna, tek lidhja e saj me fëmijën.
Kjo sjellje e fëmijës mund të jetë një reagim normal i fëmijës ndaj sjelljes së ndryshuar të nënës, pasi mosha e tij bën që ai të mos e kuptojë burimin e këtij ndryshimi.
Një reagim normal hidhërimi, i cili shfaqet me këto çrregullime somatike, mund të jetë fillesa e një psikopatologjie apo sëmundjeje mendore. P.sh kur nëna e një fëmije pesë vjeçar hyn në dhomën e mjekut për të marrë vesh nëse fëmija i saj është i sëmurë apo jo, pasi atij i ishte vrarë babai në front dhe ka filluar të ndryshojë krejtësisht të gjithë sjelljen e tij.
A mund të quhet kjo si një fazë normale e zhvillimit të sjelljes? Nga intervista del se djali ishte agresiv vetëm me nënën. Nëna duke qënë në gjendje të vështirë ekonomike ka shkuar në një qytet të madh për të gjetur punë. Më parë për fëmijën kujdesej gjyshja. Ai kishte shumë shokë, ndërsa tani i duhet të shkojë në kopësht, të gjejë shokë të rinj.
Stadi i zhvillimit të fëmijës e bën të vështirë të kuptuarit e këtij ndryshimi. Ai për të gjitha këto ndryshime fajëson nënën. Sjellja e tj mund të jetë një reagim normal ndaj vdekjes së babait, ndaj ndryshimit të ambjentit të dashur për të, prandaj reagimi i tij mund të konsiderohet normal. Nëse të njëjtën sjellje do të vinim re tek një fëmijë 15 vjeçar dhe do të ishte e njëjta situatë, por ai nuk do të pranonte shpjegime, atëherë do të mund të pyesnim: Kemi të bëjmë me një çrregullim serioz të sjelljes apo jo ?
Shohim një shembull tjetër. – Një vajzë adoleshente filloi të mos flasë dhe të mbyllet në vetvete, pas një ngjarjeje traumatike. Familja e saj kishte emigruar. Ajo ishte larguar nga gjithçka e dashur që kishte pasur dhe babai i saj, i cili i përkiste një grupi tjetër etnik, ishte bashkuar me armikun, duke braktisur familjen dhe komunitetin ku jetonte. Të gjitha këto ngjarje kishin bërë që vajza të kalonte në një gjendje mutizmi të plotë, duke refuzuar çdo lloj ndihme.
Për të gjykuar këtë lloj gjendje ka dy versione: – Mutizmi i saj mund të konsiderohet një reagim krejtësisht normal ndaj traumës së përjetuar, mund të jetë një reagim tepër normal i kësaj të reje tepër emotive, e cila reagon me ndryshime të tilla në sjellje. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia e shfaqjes së një psikoze infantile.
Është vështirë të bëhet një vlerësim i saktë i gjendjes së saj, pasi duhet mbledhur i gjithë informacioni i nevojshëm për të kaluarën e saj dhe të familjes. Për ti dhënë përgjigje shumë pyetjeve që lindin duke analizuar të tilla raste, duhet të kemi parasysh disa rregulla bazë:
Rregulli 1:
- Nëse na duhet të vlerësojmë sjelljen e një fëmije duhet ta vëzhgojmë atë për një periudhë të gjatë kohe.
- E gjithë sjellja dhe zhvillimi i fëmijës duhen vlerësuar e analizuar duke i parë të lidhura ngushtë me gjithë kontekstin familjar ku jeton fëmija.
- Familja dhe shoqëria duhet të konsiderohen një burim i rëndësishëm informacioni.
Rregulli 2:
Nëse do të punojmë me një fëmijë të traumatizuar dhe na duhet të përcaktojmë nivelin e traumës, duhet të kemi parasysh:
- Moshën e fëmijës dhe karakteristikat e zhvillimit të kësaj moshe
- Vlerat dhe karakteristikat e komunitetit ku fëmija ka jetuar
- Karakteristikat dhe sistemin e vlerave të komunitetit ku fëmija jeton tani.
- Nivelin e zhvillimit bio-psiko-shoqëror të fëmijës, i cili jo gjithmonë përputhet me moshën kronologjike të fëmijës.
Rregulli 3:
- Kur një fëmijë shpreh emocione të tilla si frikë, zemërim, hidhërim, etj si këto, kjo mund të konsiderohet si normale, jonormale, apo pjesë e një çrregullimi. Këto duhen gjykuar nga format e shprehjes së këtyre emocioneve dhe nga intensiteti i tyre.
- Kur një fëmijë shfaq ndryshime të sjelljes, si probleme të komunikimit, shqetësim, agresivitet, qëndrime negative, këto mund ti konsiderojmë si: normale, jonormale, ose pjesë të ndonjë çrregullimi.
- Për të gjykuar rreth tyre varet nga faza e zhvillimit të fëmijës, simptomat psikosomatike si: dhimbje koke, dhimbje stomaku, djersitja, vështirësi nëfrymëmarrje, si dhe nga lloji i traumës dhe kohëzgjatja e saj.
- Lidhur me problemet e funksionimit psikologjik si: gjumi, ngrënia, jashtëqitja, të folurit, mund të gjykojmë se kemi të bëjmë me probleme apo shmangje në varësi të ngjarjes traumatike dhe kohëzgjatjes së saj.
- Po kështu mund të gjykojmë edhe për ato mënyra sjelljeje shoqërisht të papranueshme si: qëndrimet në rrugë, vjedhjet, etj si këto.
- Ndodhin ndryshime edhe në proçesin e të menduarit dhe në gjendjen emocionale të cilat varen po nga këto faktorë.
Këto rregulla na shërbejnë vetëm si orientime sepse për të gjykuar e vlerësuar mbi një sjellje duhet punuar shumë.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….
Burimi: Programe të Ndihmës Psikosociale për Fëmijët në vështirësi