Shkruan: Majre LEVENISHTI , Psikologe shkollore dhe edukimi…
Prindërimi nuk është destinacion, por udhëtim. Për çdo udhëtim ne duhet të përgatitemi. Pikërisht jemi ne ata të cilët duam që fëmijët të bëhen dikushi në të ardhmen…..
Prindërit mund të modelojnë apo të trajnojnë fëmijët për të ndërvepruar me bashkëmoshatarët. Në një studim prindërit u kanë treguar fëmijëve strategji specifike për marrëdhëniet me bashkëmoshatarët .Për shëmbull, prindërit iu treguan sesi të menaxhojnë konfliktet, apo sesi të bëhen më pak të turpshëm me të tjerët. Ata u inkuraajuan të jenë tolerantë dhe të rezistojnë ndaj presionit të grupit.
Në një studim tjeter, prindërit që inicionin kontaktet me bashkëmoshatarët, kishin fëmijë që pranoheshin dhe pëlqeheshin më shumë. Një aspekt kyç në marrëdhëniet me bashkëmoshatarët është stili i jetës së prindërve dhe zgjedhjet që bëjnë.
Lagja, shkolla dhe shokët e vetë prindërve janë faktorë ndikues në përzgjedhjen e shokëve & shoqeve për fëmijët.
Një sërë teoricienësh argumentojnë se marrëdhëniet prind-fëmijë shërbejnë si bazë emocionale për të eksploruar dhe për të gëzuar marrëdhëniet me bashkëmoshatarët. Kur njerëzit bëhen prindër , para tyre paraqitet diçka e çuditshme, çka i bën ata të mos jenë të lumtur por të përfshirë në një rol që shpesh i nxjerr nga vetvetja duke i mveshur strategji të cilat mezi i mbart për ti bërë të tyret.
Ne mbetemi ashtu si kemi qënë dhe kur paraqitet një problem , duhet tentuar të gjendet zgjidhja e cila nuk dëmton askënd. Nuk ka as fitimtar e as humbës, çdo kush duhet ta ruaj personalitetin e vet. Me këtë nuk është se zhduken konfliktet por duke patur respekt dhe besim të ndërsjelltë, mund të shmangen shumë kriza emocionale.
Duke e kuptuar se si mendojnë dhe si ndihen fëmijët në faza të ndryshme, prindërit janë të përgatitur shumë më mirë për të reaguar ndaj situatave sfiduese në mënyrë pozitive dhe konstruktive.
Një mirëkuptim i tillë jep bazën për zgjidhjen e problemeve. Në vend të reagimit të thjeshtë në moment, ju mund të mendoni në lidhje me atë se çka do të thotë sjellja e fëmijës suaj dhe se ku do ta shpierë ajo sjellje atë.
Shpesh prindërit i keqinterpretojnë arsyet për sjelljen e fëmijëve në një mënyrë të caktuar. Kur mendojmë se ata po na sfidojnë apo se po mundohen të na nervozojnë, ne reagojmë me zemërim dhe ndëshkim.
Kur ne e kuptojmë se ata po bëjnë atë që kanë nevojë ta bëjnë në mënyrë që të kalojnë në fazën tjetër, ka më shumë të ngjarë që të përgjigjemi me informata dhe t’i mbështesim nevojat e tyre.
Mënyrat e krijimit të një rrjeti bashkëpunues me fëmijën tuaj
- Kaloni kohë së bashku
° bëni aktivitete familjare
° bisedoni me të për miqtë e tij
° dëgjoni brengat dhe shqetësimet e tij
° pranoni arritjet e tij
° tregoni për sfidat me të cilat do të ballafaqohet në vitet e ardhshme dhe bëjani me dije se do të jeni aty për t’i ndihmuar
° tregohuni të sinqertë me të
° tregohuni të dashur me të
° përpiquni t’i kuptoni ndjenjat të cilat qëndrojnë prapa sjelljeve të tij / saj
- Ndërtoni vetëbesimin e tij
° ndihmojeni atë të zbulojë dhe të pëlqejë vetveten
° inkurajoheni të besojë në aftësitë e tij
° ndihmojeni të shohë anët e forta të tij/saj, si dhe karakteristikat e veçanta të vetvetes
- Njihuni me shoqërinë e tij
° lejojini ata të qëndrojnë në shtëpinë tuaj
° takohuni me familjet e tyre
° merrni pjesë në evenimente ku janë të përfshira ai dhe shoqëria e tij
- Qëndroni afër tyre – por ruani distancën
° dijeni se ku është dhe me kënd është, por respektoni nevojat e tij në rritje për pavarësi dhe privatësi
° tregoni se i besoni atij dhe se keni besim në të
- Përfshihuni në shkollën e tij
° shkoni në evenimentet shkollore
° njihni mësimdhënësit e tij
° bisedoni me të për detyrat e shtëpisë dhe ofroni ndihmën tuaj
° interesohuni për atë që ai është duke lexuar dhe diskutoni me të.
Shkruan: Majre LEVENISHTI , Psikologe shkollore dhe edukimi…
(Referencat–Bornstein,M.H.(2002).Handbook of Parenting :Practical Issues in Parenting.Lawrence Erlbaum Associates.)