Shkruan: Silvana GJONI, Logopede & terapiste ABA…
Gjëja që shijojnë më shumë fëmijët, është loja. Efektet e saj tek të mësuarit janë të vërtetuara dhe të pamohueshme. Por, cilat janë ato në të vërtetë?
Të menduarit kritik-–Fëmijët që angazhohen në lojë janë më të vetëdijshëm për ambientin rreth tyre dhe arrijnë të mendojnë më me efikasitet zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Ata janë në gjendje, që me kalimin e kohës, të zhvillojnë pavarësinë e tyre dhe të bëhen regjizorët e jetës së tyre.
Vetëbesimi-Ata rrisin vetëbesimin e tyre, duke luajtur, sepse ndjejnë se kanë në dorë të marrin vendime dhe të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve.
Siguri–Gjatë lojës, ata janë më të sigurt, të dashur, të lumtur
Socializim-Një fëmijë që luan, është një fëmijë I aftë për tu socializuar me shokët dhe shoqet, për të ndërvepruar me ta, qoftë duke shkëmbyer lodrat apo duke shkëmbyer mesazhe vokale. Prandaj, socializimi është një ndër arsyet kryesore pse terapia bazohet në lojë. Sepse loja e bën individin funksional dhe të pavarur.
Aftësitë gjuhësore-Gjatë kohës që fëmija I kushton lojës, ju mund ti afroheni dhe të ndërtoni një raport të qëndrueshëm me të, por jo vetëm. Mund edhe ti mësoni aftësi gjuhësore, fjalë dhe fjali të reja, mënyra të reja të të shprehurit. Sa më shumë të luani, aq më shumë fëmija do të kopjojë modelin tuaj dhe ta ndjekë atë.
Aftësitë akademike-Kush tha që numrat, shkronjat, veprimet aritmetike nuk mund të jenë edhe lojë njëkohësisht? Ju mund të jeni duke luajtur me fëmijën tuaj dhe numëroni kukullat apo makinat.
Aftësitë motore-Loja I bën fëmijët aktivë, I shmang nga qëndrimi para një TV dhe pajisjeje elektronike. Është mënyra më e mirë për të bërë një fëmijë të përjetojë tamam kuptimin e fëmijërisë së tij. Ju mund të organizoni një lojë, ku duhet të hidheni sëbashku, të pasoni topin e kështu me rradhë. Të gjitha këto, e bëjnë fëmijën të mësojë aftësi, por edhe të deshirojë të jetë aktiv. Këru përfshihet motorika globale dhe ajo fine.
Vetëkujdesi-Nëpërmjet lojës, fëmija është I aftë të përjetojë emocione të ndryshme, të njohë rrezikun dhe të dijë sesi të veprojë në situata të ndryshme.
Shprehja e emocioneve-Duke përdorur lojën, fëmijët shprehin kënaqesitë e tyre ndaj personave apo ngjarjeve që I rrethojnë. Nëse një fëmijë, që ka kaluar fazën e eksplorimit, I përplas objektet në tokë me furi, diçka e shqetëson dhe kjo përbën një pikë ku bazohet edhe terapisti për të filluar një terapi apo per t’ju dhënë këshilla.
Eksplorimi-Një fëmijë, ka stadet e veta të të luajturit në varësi të moshës, dhe në një fazë te saj, mund të jetë hedhja e objekteve. Mos u alarmoni. Ai po eksploron mjedisin përreth, që të formojë sigurinë mbi të, ta posedojë atë.
Përforcuese-Nëse një fëmijë është lodhur nga detyrat e shkollës, si përforcues mund të përdorni lojën e lirë, fëmija do të jetë më I prirur që të bëjë pjesën e mbetur të detyrave me dëshirë, duke pritur me durim për momentin kur të jetë koha e lojës sërish.
E rëndësishme është që ju te luani me fëmijën tuaj, dhe mbani mend, nuk ka lojë të gabuar, nëse ajo I mëson diçka fëmijës.
Shkruan: Silvana GJONI, Logopede & terapiste ABA…