Shkruan: Ilir HAVOLLI, Punëtor shëndetësor, & Psikolog klinik….
HIV është një virus i cili sulmon sistemin imunitar, sistemin mbrojtës të trupit. HIV pushton dhe shkatërron qelizat CD4+.
Pra, nëse këto qeliza shkatërrohen, atëhere trupi nuk mund ta mbrojë më veten nga infeksionet. Faza e fundit e infeksionit është atëherë kur HIV shëndrrohet në AIDS.
HIV-it i duhet një kohë e gjatë para se të kalojë në AIDS, zakonisht një periudhë nga 10 deri në 12 vjet.
HIV është virus që mund të shkaktojë një infeksion, por AIDS është një gjendje ose sindromë.
Të qenit i infektuar me HIV mund të çojë në zhvillimin e SIDA – s (AIDS), e cila nënkupton sindromën e fituar të mungesës së imunitetit.
AIDS zhvillohet kur HIV ka shkaktuar dëme serioze në sistemin imunitar. Është një gjendje komplekse me simptoma që ndryshojnë nga personi në person.
Simptomat e AIDS – it janë të lidhura me infeksionet që një person zhvillon si pasojë e një sistemi imunitar të dëmtuar që nuk mund të luftojë edhe infeksionet. Këto infeksione mund të përfshijnë tuberkulozin, pneunominë, lloje të caktuara të kancerit si dhe infeksione të tjera.
HIV është një virus që transmetohet në mes njerëzve.
SIDA nga ana tjetër, është një sindrom që fitohet vetëm pasi një person ka kontaktuar me infeksionin HIV.
Janë të njohura tri mënyra kryesore të bartjes së virusit:
- nëpërmjet marrëdhënieve seksuale,
- nëpërmjet këmbimit të gjilpërave dhe shiringave të infektuara dhe
- transmetimit prej nënës tek fëmija.
Perhapja e këtij infeksioni është e lidhur kryesisht me sjellje njerëzore (seksuale dhe shkëmbimit të gjilpërave dhe të shiringave), pra ndryshimi i sjelljeve është mbrojtje kundër këtij infeksioni.
Rasti i parë i prekur me virusin HIV/AIDS në Kosovë është në vitin 1986.
Aktivitetet e parandalimit të HIV/AIDS në Kosovë janë përqendruar në veprimtarinë parandaluese tek grupet e rrezikuara të popullatës.
Edukimi shëndetësor luan rol në mënyrë direkte në parandalimin e infeksionit të HIV/AIDS, përmes ndikimit në ndryshimin e sjelljeve.
- Ofrimi në mënyrë të barabartë i programeve të parandalimit dhe të kujdesit për personat që jetojnë me HIV/AIDS, me ato për personat e painfektuar.
- Konfidencialiteti, mosstigmatizimi e mosdiskriminimi i personave që jetojnë me statusin e HIV/AIDS-it.
- Mospërjashtimi i personave që jetojnë me HIV/AIDS nga rrjeti i institucioneve të arsimit, institucionet e trajtimit mjekësor, institucionet rezidenciale të përkujdesit social, për shkak të statusit të tyre HIV/AIDS.
- Personat me status HIV/AIDS trajtohen në një mënyrë të drejtë, të përshtatshme dhe humane.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Punëtor shëndetësor, & Psikolog klinik….