Shkruan: Ana VELIU , Psikologe klinike..
- Ndërgjegjësimi për vetveten: Një nocion i qartë i identitetit formon një bazë të pastër për njohjen e kapaciteteve. Të rinjtë duhet së pari të kuptojnë vetveten, potencialin e tyre, ndjenjat dhe emocionet, pozicionet në jetë dhe shoqëri, pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Ata duhet të kenë një nocion të qartë të identitetit të tyre, prejardhjes dhe kulturës brenda të cilës kanë lindur e janë formuar.
- Vetëvlerësimi: si ndihet një individ lidhur me aspekte vetjake si pamja dhe aftësitë. Ndërgjegjësimi për vetveten çon në vetëvlerësim pasi personat bëhen të vetëdijshëm për aftësitë e tyre dhe vendin që zënë në komunitet.. Ai ka të bëjë me mënyrën me të cilën një individ ndihet lidhur me aspekte vetjake të tilla si pamja, aftësitë, sjellja dhe rritja personale si dhe lidhur me përvojat e suksesshme në të cilat ai është treguar kompetent.
- Siguria te vetja: nënkupton që një person di çfarë do dhe përse e do dhe është i aftë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arritur atë që dëshiron në një kontekst speciik; p.sh. di t’i thotë “JO” me forcë dhe guxim asaj që nuk dëshiron etj. Siguria te vetja lidhet me kulturën dhe është e rëndësishme që të rinjtë të dinë të kenë siguri tek vetja në çdo situatë. Sidoqoftë, siguria në vetvete në raport me bashkëmoshatarët mund të ndryshojë nga siguria në vetvete në raport me prindërit, mësuesit, personelin mjekësor etj.
- Menaxhimi i emocioneve: është njohja e emocioneve të tua dhe marrja e vendimeve duke i mbajtur parasysh ato. Emocione të tilla si frika, inati, droja ose dëshira për të qenë i pranuar nga të tjerët janë gjendje subjektive dhe impulsive. Për këtë arsye, ato shpesh janë të paparashikueshme dhe mund të çojnë në kryerjen e veprimeve që nuk bazohen në një arsyetim logjik.
- Menaxhimi i stresit: Stresi është pjesë e pashmangshme e jetës. Problemet familjare, marrëdhëniet e prishura, presioni i provimeve, vdekja e një miku apo familjari të afërt janë disa shembuj të situatave që mund të shkaktojnë stres në jetën e të rinjve. Në disa situata dhe në rastet në të cilat dikush është i aftë ta menaxhojë, stresi mund të jetë një faktor pozitiv pasi presioni e detyron personin të fokusohet tek ajo që po bën dhe të reagojë në mënyrën që i përshtatet rastit specifik., stresi mund të jetë edhe një forcë shkatërruese në jetën e një individi nëse nuk është i aftë ta menaxhojë atë. Prandaj, individet duhet të jenë të aftë të njohin stresin, shkaqet dhe efektet e tij dhe mënyrën për ta përballuar.
Shkruan: Ana VELIU , Psikologe klinike..