Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….
Në rast se shkaku organik nuk është përjashtuar, prindërit duhen t’i drejtohen mjekut.
Është e rëndësishme që ata të informohen se çfarë analizash diagnostike mund të bëhen:
- analiza laboratorike EEG,
- studimi i fiziologjisë së fshikëzës urinare,
- analizë psikologjike dhe
- ekzaminimi i organeve gjenitale të jashtme.
Gjatë takimit të parë me prindërit duhet marrë vesh kush do të përgjigjet për bashkëpunimin me ndihmësin, meqënëse prindi është i përfshirë thellësisht dhe shpesh është ekzekutuesi i drejtpërdrejtë i programit të trajtimit.
Në këtë mënyrë prindi mund të vendosë lidhje më të përshtatshme me fëmijën dhe të ndihmojë në korrigjimin e sjelljeve dhe të qëndrimeve të tij të papërshtatshme.
Kjo do të ndihmojë, gjithashtu në krijimin e atmosferës familjare që do të nxitë zhvillimin e mëtejshëm të fëmijës. Fëmijët me enuresis shpesh janë:
- të turpshëm,
- të varur,
- heqin dorë lehtë kur ndeshen me vështirësi dhe
- janë të prirur për t’u tërhequr.
Shpesh ata janë të pasigurtë dhe vazhdimisht kërkojnë ndihmë, mbrojtje dhe siguri nga prindërit. Kjo sjellje në shumë raste nxitet nga pavendosmëria e prindërve për mënyrën si ta trajtojnë këtë sjellje.
Në një rrethanë të tillë, prindërit duhet të nxiten për të pranuar faktin se fëmija ka shfaqje jonormale dhe duhet të ndihmohet.
Prindërit duhet të njihen me shkaqet e mundshme të enuresit, duke ditur se zakonisht kjo rregullohet në mënyrë të vetvetishme në fëmijë më të rritur dhe se kjo ka pasoja të pakëndshme për fëmijën.
Prindërit duhet të përpiqen dhe të kuptojnë se fëmija nuk do të laget dhe nuk duhet bërë me faj për këtë. Kur prindërit pranojnë bashkëpunimin duhet të pajtohen që fëmija të mos ndërshkohet kur laget.
Ndërshkimi është i kundërt me trajtimin. Ai vetëm shton ankthin e fëmijës, përderisa ai tanimë është shumë i ndërgjegjshëm për problemin.
Kohëzgjatja e trajtimit ndryshon sipas individit dhe varet nga faktorë të shumtë:
- nga lloji i enuresit,
- pranimi nga të dy prindërit dhe nga fëmija i planit të trajtimit,
- nga mbështetja që i ofrohet fëmijës,
- nga gjendja në familje,
- nga ekspozimi i fëmijës ndaj ngjarjeve stresuese, etj.
Kjo është arsyeja përse është e vështirë të thuhet kur do të ulet enuresi ose kur do të ndalet plotësisht.
Trajtimi shpeshherë është një proçes i gjatë dhe kërkon këmbëngulje dhe angazhim të plotë nga ana e prindërve dhe e fëmijës. Gjithçka duhet diskutuar me prindërit që në takimin e parë në mënyrë që të jenë realist në atë që pritet lidhur me suksesin e trajtimit.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….