Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…
Në këtë moshë fëmijët luajnë në grup, por ende jo në një skuadër. Këtë aftësi ata e fitojnë pak më vonë. Kërkojnë të marrin role brenda grupit, shpeshherë duke imituar personazhe të njohura nga librat, filmat, përrallat, televizori ose mjedisi.Roli më i rëndësishëm që ata pëlqejnë të luajnë, është roli i nënës dhe i babait.
Kjo lloj loje është një pasqyrim i shqetësimit që kanë të vegjlit me një nga cështjet kryesore të zhvillimit: me zbulimin që ata bëjnë mbi raportet midis njerëzve në situata të ndryshme.
Rreth moshës 6 vjeç duken shenjat e para të pjesëmarrjes së tyre në një aktivitet, ku për herë të parë ata pranojnë të heqin dorë nga disa dëshira personale, si një kompromis për t’u bërë pjesë e grupit. Janë çastet e para të “sakrificës”.
Gjatë lojrave ata zhvillojnë ende aftësitë lëvizore dhe kërkojnë të pushtojnë një territor dhe mjetet që ju duhen për t’u kacavjerrë, lëkundur, hedhur apo rrëshqitur.
Deri në moshën 7-vjeçare aftësitë e tyre të pjekura fizike bëhen kryesore dhe më të rëndësishme se imagjinata. Vajzat kanë më shumë interes për lëvizjet e gishtave, duarve, hedhjen në litar, lidhjen e fjongove, hedhjen e topit, përdorimin e gjilpërës, shpesh të shoqëruara me këngë fëminore.
Ritmika e përdorur gjatë lojrave shoqëron pothuajse të gjitha aktivitetet e kësaj periudhe. Është shumë interesante se si vetë fëmijët krijojnë hapësirën e lojës, një hapësirë boshe në të cilën futen shumë fëmijë. Menjëherë ata vendosin rregulla.
Secili prej tyre e di se është vetëm një anëtar i grupit. Fëmijët kërkojnë t’i japin vetes mundësinë të dallohen si individë, duke mbetur në grup. Hapësira boshe kthehet në një hapësirë të drejtuar, mbrojtëse dhe të rehatshme. Por, mbi të gjitha, kjo është një hapësirë krijuese.
Një fëmijë në mes të kësaj hapësire mund edhe të trembet, por me-njëherë hapësira e lojës në të folur, në të kënduar dhe me rregulla të përckatuara bëhet qetësuese. Ju kujtohet rrethi i fëmijëve që luan “Hodha një letër mu në postë”?
Është shumë e rehatshme të ulesh si pjesë e rrethit. Nuk ka asnjë siklet dhe ka shumë mundësi që papritur të të rastisë të jesh në qendër të rrethit sipas lojës, duke u bërë “mbret” ose “mbretëreshë” në mes të grupit. Kjo është arsyeja që brez pas brezi disa lojra të thjeshta, të shpikura nga vetë fëmijët, rrojnë kaq gjatë dhe trashëgohen nga mosha në moshë, nga kultura në kulturë.
Brenda kësaj loje, fëmijët më të rritur nuk kanë nevojë të kujdesen për fëmijët më të vegjël, vëllezër dhe motra. Argëtimi është i plotë. Lojrat në këtë moshë zhvillohen në të njëjtën kohë me aftësimin e tyre për historitë, përrallat, si dhe me detyrimet e para të të mësuarit të leximit, shkrimit, vizatimit dhe përgatitjes për shkollë. Zbulimi i miqve moshatarë Bëhet gjithmonë pas përshtatjes me mjedisin e ri. Identitetin e ri që përfiton si pjesëtar i një shoqërie të re, fëmija ua tregon prindërve me krenari.
Ndërsa i nënshtrohet rregullave të grupit, fillon t’i bëjë “sfidë” rregullave familjare. “Nuk e vesh fustanin, sepse shoqet e mia nuk e pëlqejnë!”. Këndon këngët e shoqeve në shtëpi dhe luan lojrat e mësuara nga shoqet. Marrëdhëniet me moshatarët bëhen një pasuri e vërtetë. Dëgjohen fjalë të reja dhe gjuhë të tjera. Fëmijët 5-6 vjeçarë nuk janë të aftë për sjellje raciste (për të sharë të tjerët se janë të një race tjetër).
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…