Shkruan: Ana VELIU, Psikologe klinike….
Kur njerëzit kalojnë nga adoleshenca drejt moshës së rritur, ata rrallë herë provojnë një shkëputje të menjëhershme ose një kthesë të fortë lidhur me perceptimin e vetes si adoleshent dhe si i rritur.
Koncepti për veten është një proces i organizuar, koherent, një model i integruar i perceptimeve lidhur me veten. Në rini, vetë-konceptimi shkon përtej pikëpamjes së zakonshme të personit për veten, që përfshin një llojshmëri vetesh të mundshme – të dëshirueshme ose të frikëshme lidhur me llojin e vetes që mund të bëhesh.
Një studim i Markus dhe Nurius (1986) zhvilluar me të rinjtë që ndiqnin kolegjin, tregoi se shumica e tyre mendonin për veten e ardhshme duke u fokusuar më shumë në veten e dëshirueshme (seksi, të besueshëm, të fuqishëm) sesa në veten e padëshirueshme (të depresuar, të varfër, të parëndësishëm).
Aparenca fizike, rolet sociale dhe aftësitë e zotëruara janë elementë të lidhur ngushtë me vetë-konceptimin. E vërteta është se këto elementë pësojnë ndryshime përgjatë moshës së rritur.
Studimet longitudionale kanë treguar se të rinjtë e të dyja sekseve, kur lënë adoleshencën, tregojnë më pak impulsivitet të vetë-qëndërzuar dhe një rritje të aftësisë për t`u përballur me problemet. Përsa i përket vlerësimit të personalitetit të tyre, burrat dhe gratë e moshës së re tregojnë nivele të ngjashme vetë-vlerësimi, por me një shkallë më të lartë krahasuar me vetë-vlerësimin në adoleshencë.
Disa psikologë zhvillimistë besojnë se personaliteti kuptohet më mirë në termat e teorisë kontekstuale, e cila pranon se llojshmëria e roleve (punëtor, bashkëshort, student, prind) ndërvepron me faktorët e përgjithshëm historik (luftën, tranzicionin, rënien ekonomike) duke ndikuar në vetë-vlerësimin dhe personalitetin e individit të ri.
Ka edhe faktorë të tjerë që influencojnë në konceptin për veten tek moshat e reja. Kështu p.sh., koncepti burrë dhe grua që ata kanë për veten, reflekton ndikimin e stereotipeve të roleve gjinore dhe skemën gjinore të vetes së tyre.
Sikurse dihet, vajzat janë tradicionalisht të socializuara, të varuara, pasive, emocionalisht ekspresive dhe të ngrohta.
Ndërsa djemtë mësojnë të jetë assertivë (të sigurt në vetvete) dhe të pavarur. Duke u rritur në këtë mënyrë, gratë e reja ka më pak të ngjarë se burrat e rinj, që të kenë sensin e kontrollit për jetën e tyre, për sukseset dhe dështimet. Burrat e rinj priren të besojnë në fuqitë personale për të patur kontroll mbi fatet e tyre. Gratë ka të ngjarë të besojnë tek fuqitë e jashtme të kontrollit.
Shkruan: Ana VELIU, Psikologe klinike….
(Burimi: Block,1971 // Frieze et al., 1978 // Kogan, 1990)