Pyetje për mjekun
Përshëndetje. Ju falenderoj për këtë mundësi që na keni dhënë për pyetje rreth problemeve tona. Unë personalisht jam një zonjë nga Prishtina e moshës 49 vjeçare dhe që nga lindja e parë vuaj nga hipertensioni, sa që në lindjen e dytë kam pas frikë se do ta humbas edhe fëmijën. Përherë përdor Metyldopa tableta por që tani tensioni është normalizuar ndërsa dhimbja e kokës është e papërballushme, duhet ta lë tensionin të qëndrojë në vlera të larta dhe vetëm atëherë me kalon dhimbja e kokës. Ju lutem a mund të di pse më ndodh kjo kur shtypja është e lartë nuk kam dhimbje koke ndërsa kur shtypja më ulet kam dhimbje koke.
Përgjigjet: Dr Dorina GASHI, Mjeke e Përgjithshme, KOMS
Tensioni normal i gjakut është i ndryshëm për të gjithë, por zakonisht klasifikohet në një numër të pranueshëm të numrave. Si presioni i lartë i gjakut – hipertensioni ashtu edhe presioni i ulët i gjakut – hipotensioni, mund të çojnë në dhimbje koke. Tensioni juaj i gjakut mund të jetë më i lartë ose më i ulët se ajo që konsiderohet normale por që ende është normale për ju. Mënyra e vetme për të vendosur tensionin normal të gjakut është monitorimi i tij shpesh gjatë kohës. Presioni i gjakut që është shumë larg normave të pranueshme duhet të trajtohet menjëherë. Dhimbjet nga tensioni i ulët quhen ortostatike dhe ndodhin kur ndryshimet në tensionin e gjakut në tru ndodhin në mënyrë dramatike. Nëse përkulesh dhe papritmas ngrihesh në këmbë mund të përjetosh një dhimbje koke. Pasi të ketë filluar, ajo paraqitet si shumica e dhimbjeve të tjera të kokës.
Efektet anësore të barit Methyldopa përfshijnë marramëndjen, përgjumjen dhe dhimbjen e kokës. Ju rekomandoj të konsultoheni me mjekun kardiolog dhe të konsideroni të ndryshoni terapinë tuaj dhe nëse nuk ka rezultat të konsultoheni me neurologun për të hulumtuar rreth shkaqeve të mundshme të dhimbjes së kokës.