Shkruan: Arsena QENANI, Pedagogji e specializuar…..
Kjo periudhë fillon nga viti i dytë i jetës deri në të gjashtin, deri në kohën kur fëmija fillon klasën e parë. Në këtë periudhë kemi një ngadalësim të zhvillimit fizik. Gjatë fëmijërisë së hershme fëmijët përvetësojnë shumë aftësi, vecanërisht ato që lidhen me aktivitetin e muskujve më të vegjël të duarve dhe gishtave, si dhe me koordinimin e gjymtyrëve.
Gjatë kësaj periudhe fëmijët zotërojnë disa nga aftësitë motorike komplekse si p.sh ngasin bicikletën, lidhin këpucët, operojnë mirë me kuba e lodra formuese dhe arrijnë të vizatojnë objekte që nuk i kanë prezente.
Disa prej faktorëve më kryesorë që pengojnë zhvillimin normal në fëmijërinë e hershme janë; sëmundjet e shpeshta, abandonimi, dhuna, keqtrajtimi fizik. Fëmijët e keqtrajtuar kanë sjellje agresive, hiperaktivitet.
Tek fëmijët ndikojnë shumë problemet që kanë prindërit. (Padija, padurimi, papërgjegjësia, përdorimi i tepërt i qetësuesve, divorcet, sëmundjet psiqike të prindërve).
Kur prindërit ndodhen në situata stresante të jetës si: papunësia, vështirësitë ekonomike, sëmundjet e ndryshme, ndjehen të paaftë për të marrë përsipër përgjegjësitë prindërore. Tashmë është vërtetuar se fëmijët që vuajnë nga keqtrajtimi fizik në familje janë të prirur ë bëhen individë të dhunshëm në të ardhmen.
Të gjitha këto pasoja ndikojnëdukshëm në zhvillimin psiko-fizik të fëmijës. Në këto situata është e domosdoshme që prindërve tu ofrohet ndihmë psikosociale dhe në raste tepër ekstreme tu hiqet e drejta prindërore, duke j’ua larguar fëmijët..
Ka shumë faktorë të tjerë që ndikojnë tek fëmijët duke krijuar probleme të rritjes e zhvillimit. Mund të përmendim divorcin e prindërve, lindjen e një fëmije tjetër, për të cilin fëmija i parë nuk është përgatitur. Fëmijët fillojnë të reagojnë me mënyra të ndryshme.
Sjellja e tyre ndryshon, ata humbasin sigurinë, ndjejnë ankth. Shpesh fëmijët marrin mbi vete dhe ndjenjën e fajit, prandaj është e domosdoshme që të ndihmohen dukë ju qëndruar pranë. Në këto situata fëmija dhe familja duhet të mbështeten, pasi ekziston rreziku i një regresi në gjithë zhvillimin e fëmijës. Fëmija mund të fillojë të urinojë natën, të belbëzojë e të tjera si këto.
Në trevjeçarin e dytë të jetës tek fëmija mëndimi është më konkret dhe mbështetet në përvojën personale, në të shumtën e rasteve fëmijët nuk arrijnë të bëjnë dallimin midis imagjinatës dhe realitetit. Ata janë plot fantazi. Fëmija në këtë moshë nuk ka marrëdhënie objektive, ai nuk arrin të bëjë konkluzione logjike p.sh mbledhje, zbritje.
Kjo fazë quhet faza e të menduarit paraoperacional. Është mosha e pyetjeve të shumta, fëmija është tepër kurioz. Prindërit dhe të rriturit e tjerë duhet të jenë të duruar dhe të qetë për të shuar çdo kuriozitet fëmijëror, për të mos dëmtuar lidhjet emocionale të fëmijës.
Ndryshe nga fëmijët tre vjeçarë që janë tepër kuriozë dhe kureshtarë, fëmijët gjashtëvjeçarë janë eksplorues të ambjentit, harxhojnë më shumë kohë për tu marrë me lojra dhe aktivitete që kanë një kuptim. Në këtë moshë kemi një rritje graduale të zhvillimit intelektual, dhe fëmija arrin të gjykojë se c’është e mira dhe e keqja.
Por cilat janë pasojat e këtyre veprimeve?
Është mosha kur fëmija shkon në kopësht, jeton mes moshatarëve të tij dhe për pasojë zhvillimi i të folurit merr hov. Para se të futet në shkollë fëmija ka një fjalor të pasur (rreth 5000 fjalë). Ai arrin të formojë fjali me shumë fjalë, p.sh deri në 10.
Në këtë moshë fëmija dallon mirë ngjyrat, fillon të numërojë pa gabime, të njohëshkronjat dhe të nxjerrë kuptimin e një përralle apo tregimi. Jemi në kohën kur tek fëmija zhvillohet kujtesa afatgjatë, arrin të njohë objekte edhe përmes figurave, të ritregojë një ngjarje, të recitojë një vjershë.
Zhvillimi intelektual i fëmijës nxitet e stimulohet nga shumë faktorë. Fëmija duhet të luajë me lodra dhë objekte të përshtatshme për moshën e tij edhe programet televizive duhet të plotësojnë kërkesat dhe nevojat e stadit të zhvillimit. Pavarësisht nga të gjitha këto, loja me moshatarët dhe komunikimi me prindërit mbeten parësore. Duhet përmendur edhe rëndësia që ka larmia e programeve mësimore në kopshte.
Është ë rëndësishme të theksohet se rolet gjinore fëmija fillon ti mësojë e përvetësojë qysh në fëmijërinë e hershme. Në këtë moshë fëmija zhvillon konceptin e identitetit të vet seksual. Në moshën tre vjeçarë një fëmijë arrin të dallojë shokët nga shoqet, zakonisht në bazë të karakteristikave fizike. Kështu në këtë moshë djëmtë fillojnë të bëhen më agresivë, ndërsa vajzat më emotive.
Këto ndryshime fillojnë të ushqehen apo të rriten përmes modeleve prindërore, karaktereve të të rriturve që pëlqehen më shumë nga fëmijët. Kështu para se të hyjë në shkollë fëmija arrin të zotërojë disa aftësi dhe të ketë një koncept personal për veten dhe botën që e rrethon.
Në këtë moshë të mësuarit është kryesisht spontan dhe nga përvoja e modeli i prindërve, vëllezërve e motrave më të mëdha. Fëmijët i referohen sjelljes së prindërve, të anëtarëvë të tjerë të familjes dhe shoqërisë.
Në këtë moshë fëmija përvetëson disa sjellje të cilat ndikojnë në mënyrë pozitive në zhvillimin e karakteristikave personale të tij. Sjellja e prindërve brenda familjes,modelet e komunikimit të antarëve të tjerë të shoqërisë, ndikojnë mjaft në zhvillimin social-shoqëror të fëmijës. Duhet të kemi parasysh se prindërit reagojnë me mënyra të ndryshme sjelljeje ndaj fëmijëve të tyre.
Do të vecojmë tre mënyra sjelljeje:
- 1 sjellje e ekuilibruar
- 2 sjellje joelastike
- 3 sjellje toleruese
Nga studimet e kryera ka rezultuar se mënyra e ekuilibruar e sjelljes karakterizohet nga një marrëdhënie e qëndrueshme emocionale, nga një mirëkuptim e komunikim i hapur midis prindërve dhe fëmijëve. Prindërit kërkojnë nga fëmijët “sjellje normale” dhe në të njëjtën kohë respektojnë të drejtat e tyre.
Krejt ndryshe ndodh me prindërit që ndëshkojnë çdo sjellje e veprim të fëmijës. Ata janë gjithmonë kritik. Fëmijët e këtyre prindërve rriten si qënie të varura prej të tjerëve, pa inisiativë dhe të depersonalizuar.
Po të analizojmë modelet e sjelljeve të prindërve “tolerantë”, kuptojmë se në marrëdhëniet prind-fëmijë shpesh ka konfuzion, përzierje të roleve familjare dhe fëmijët kanë probleme të përshtatjes dhe adaptimit me rregullat dhe normat e shoqërisë.
Në fëmijëri, fëmija përvetëson si modelet e sjelljeve pozitive, ashtu edhe ato negative.
Ata mësojnë të ndihmojnë së bashku, të luajnë, por edhe të shfaqin sjellje agresive e të jenë të dhunshëm.
Në agresivitetin e fëmijëve ndikojnë disa faktorë ku mund të përmendim:
- Zemërim, mërzitje, të cilat vijnë nga pazotësia për të arritur një qëllim të caktuar
- Të mos vlerësuarit e fëmijës nga prindërit.
- Imitimi i sjelljes së prindërve.
- Krijimi i një imazhi negativ për veten.
- Mungesë vëmendjeje nga të tjerët.
Është pikërisht kjo moshë kur fëmijët zënë shokët e parë të së njëjtës gjini, moshë, forcë fizike. Duke krijuar lidhjet e para shoqërore ata kanë më shumë mundësi të shprehin emocionet, të tregojnë mirëkuptim, të ndihmojnë së bashku e të kuptojnë nevojën e madhe për pavarësi e liri personale.
Shkruan: Arsena QENANI, Pedagogji e specializuar…..