Shkruan: Arsena QENANI, Pedagogji e specializuar…..
Autizmi është një çrregulim neurologjik i cili prek disa fusha të zhvillimit të individit duke mos i lejuar ata që të ken një jetë brenda kornizës normale. Shkaqet e autizmit janë ende të panjohura çka e bën këtë crregullim edhe më të mistershëm dhe të vështirë për t’u trajtuar.
Por çka është e verbër për t’u parë nga shoqëria e cila jo gjithmonë di të përshtatet me individ të tillë , është familja e një individi që vuan në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose jo nga ÇSA. Marrja vesh e lajmit se fëmija i tyre vuan nga ÇSA ka një impakt të fortë te prindërit të cilët gjenden të papërgatitur ndaj ktij lajmi shpesh të thënë në mënyrë jo profesionale.
Dhënia e lajmit mund të ketë pasoja të thella emocionale si tronditja ,mohimi,dëshpërimi dhe hidhërimi. Është e natyrshme që pothuajse në mënyrë të menjëhershme prindërit të kërkojnë shkakun. Zemërimi i madh dhe fajësimi mund të kthehen së brendshmi kundër vetes ashtu edhe së jashtmi si ndaj mjekve apo edhe bashkëshortëve.
Përballja me një fëmijë me ÇSA ndikon te martesa dhe jeta në çift. Nëse prindërit ndajnë me njëri-tjetrin të njëjtat vlera dhe bindje , stresi duket se mund t’a përforcojë marrëdhënien. Një faktor tjetër që luan rol të rëndësishëm është mënyra e përshtatjes së sjelljes së babait ndaj fëmijës me aftësi ndryshe.
Në përgjithësi bazuar në studime është vërtetuar që babllarët e qetë dhe “të natyrshëm” e trajtojnë shumë mirë një fëmijë me aftësi ndryshe , ndërsa babllarët që janë më të largët nga pikëpamja emocionale krijojnë pengesa si në marrëdhëniet në çift ashtu edhe në punën që duhet bërë me fëmijët.
Nganjëherë nëna vihet në pozitë më të madhe. Është e natyrshme ndjesia e të qenit nën trysni për të vendosur apo për të organizuar detyrat dhe kohën e nevojshme që duhet për të përmbushur nevojat e gjithsecilit në familje edhe pse është e pashmangshme që jeta e gjithsecilit brenda në familje priret të ketë ndryshime. Por ndonjëherë kemi edhe prindër që përballen të vetëm me këtë sfidë.
Prindërit e vetëm kanë më pak kohë pasi merren vetë me gjithçka , ndiejnë më shumë trysni pasi duhet të mbështeten vetëm te gjykimi i vet dhe shpeshherë ndihen se nëse edhe një krizë financiare të kalojnë, do t’iu shembet bota. Prandaj, është e rëndsishme që këta prindër të gjejnë mbështetje emocionale si edhe financiare te rrethi i gjerë familjarë.
Shpeshherë,për aspekte të sjelljes apo zhvillimit të fëmijës,të cilat nuk vihen shpejt nën kontroll, prindërve u vë faj edhe rrethi i tyre i gjerë familjar,çka i shtohet ndjenjës së fajit ,përgjegjësisë edhe pamundësisë. Burimet familjare ,financiare dhe kohore bëhen edhe më të pakta sesa në familjet e tjera.
Përsa i përket ndikimit te motrat/vëllezërit kjo varet nga personaliteti I fëmijës,burimet e familjes dhe mënyra e trajtimit nga prindërit. Me zhvillimin e fëmijëve ndikimet mund të ndryshojnë. Ndërsa fëmijët rriten,gjërat ndërlikohen dhe bëhen më të paqarta.
Të pasurit e një motre/vëllai me ÇSA mund ta përmbysë jetën sociale të një fëmije. Në fëmijërinë e mëvonshme dhe në adoleshencë, zemërimi është i zakonshëm. Fëmijët mund të mbajnë mëri përsa i përket sasisë së burimeve familjare qe duhet të shkojnë për të ndihmuar fëmijën me çsa përfshirë këtu burimet materiale si edhe ato emocionale.
Nganjëherë motrat/vëllezërit e fëmijëve me ÇSA marin përsipër para kohe rolin e një të rrituri në familje(sindroma e pseudo të rriturit).
Pra si përfundim është e qartë që ardhja në jetë e një fëmije me ÇSA apo fëmijëve me aftësi të tjera ndryshe , ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në jetën familjare , por se si atë e vendos secili anëtar i familjes. Informacioni masiv dhe I sigurt është një armë e fuqishme për të përballuar jetën intensive dhe jo shumë të zakonshme në familjen e një fëmije me ÇSA.
Shkruan: Arsena QENANI, Pedagogji e specializuar…..