Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik.. ( pjesa III )
Kur divorci pranohet, partnerët e ndarë kalojnë në fazën e dytë, në të cilën ata gjykojnë për realitetin e divorcit. Në përgjithësi kjo periudhë është e palumtur. Ata mund të shijojnë lirinë e tyre të re, por disa shumë shpejt zbulojnë se ajo çfarë prisnin të fitonin nga jeta pas divorcit ishte jorealiste. Ata mund ta lënë veten në mëshirë të fatit, të ndihen parrënjë dhe ankthiozë. Ajo që rëndon më shumë në jetën e tyre është se me divorcin tashmë kanë humbur një nga rolet sociale primare (bashkëshort / bashkëshorte) dhe kanë marrë një rol të ri (i / e divorcuar) për të cilin shoqëria nuk ka standarde dhe pak pritshmëri. Shumica e gjejnë veten jashtë aktiviteteve sociale të mëparshme, të cilat ishin përqëndruar rreth çiftit të martuar. Shumë të tjerë, kryesisht gra të divorcuara, e gjejnë veten në kushte financiare të vështira. Disa bëhen të depresuar.
Natyrisht, ka disa njerëz që e kapërcejnë divorcin me një ndjenjë të lartë të mirëqënies dhe tregojnë dëshmi të rritjes personale. Studimet tregojnë se njerëzit priren ta kalojnë më lehtë divorcin në raste kur: kanë zhvilluar qëndrime jotradicionale kundrejt roleve gjinore, kanë një jetë sociale aktive;, janë të aftë të bëjnë shokë të rinj; -kanë pak kontakte sociale me ish-partnerin; kanë arritur statusin e ndarjes që përputhet me qëllimet e tij; kanë të ardhura të larta; frekuentojnë shërbesat fetare;
Nga fundi i vitit të dytë, shumica e të divorcuarve fillojnë të kalojnë në fazën e tretë, në të cilin ata ristrukturojnë jetën e tyre. Të rriturit e divorcuar të cilët kanë arritur të stabilizohen financiarisht, të jenë ambjentuar me jetën e re dhe të kenë ndërtuar marrëdhënie të reja sociale, zakonisht janë gati për të krijuar një lidhje intime të suksesshme dhe të mendojnë për një rimartesë.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik..
(Burimi: Wallerstein and Blakeslee, 1989, ///// Hetherington and Camara, 1984)