Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik…. ( Pjesa II )
……..Sot shumica e çifteve presin nga martesa që të sigurojë dashuri romantike, rritje personale dhe vetë-përmbushje për të dy partnerët. Nëse nuk ndodh kështu, rriten shanset për divorc. Ka edhe faktorë të tjerë që vënë në rrezik martesat. Disa prej tyre janë:
• Të martuarit me nxitim për shkak se pritet një fëmijë i konceptuar pa dëshirë;
• Të martuarit përpara moshës 20 vjeç;
• Të martuarit pas vitit të 30 të jetës;
• Frekuentimi i rrallë i shërbesave fetare ose mosfrekuentimi i tyre fare.
• Niveli i ulët i arsimimit;
• Diferencat e theksuara në nivelet kulturore dhe arsimore mes partnerëve;
• Komunikimi i varfër në çift;
• Mospërputhja;
• Problemet seksuale;
• Tradhëtia;
• Abuzimi emocional, fizik, psikologjik, etj.
• Problemet financiare
• Abuzimi me alkolin, drogat, etj.
Sipas Graham Spanier dhe Robert Lewis (1980) forcat e jashtme mund të luajnë një rol të rëndësishëm në prishjen e martesës. Ata e shohin stabilitetin martesor si të determinuar nga balanca mes “kostos” dhe “shpërblimit” prej martesës, e perceptuar kjo nga të dy partnerët.
Prishja e balancës që mund të shkaktohet nga faktorë të jashtëm, p.sh., një vendim profesional që prek marrëdhënien, ose një vështirësi e rëndë financiare që cënon jetesën, etj., shoqërohet me rritje të pakënaqësisë krahasuar me kënaqësinë që secili partner kishte shpresuar nga martesa.
Divorci nuk ndodh menjëherë. Procedura e tij merr një kohë të gjatë, duke kaluar përmes tre fazave: ndarja, gjykimi për divorcin dhe ristrukturimi i jetës.
Faza e parë fillon kur partnerët janë të paaftë për të zgjidhur konfliktin kryesor dhe lidhja e tyre emocionale fillon të acarohet. Ndërveprimet në çift shpesh shoqërohen nga ndjenja të pakëndshme, si: inate, zëmërata, fajësime, hidhërim, pikëllim, brengë, vetmi. Kur partnerët e martuar ndahen, ndërpresin edhe dashurinë për njëri – tjetrin, kështu lidhja mes tyre përfundon. Mirëpo, larg nga partneri, secili prej tyre vuan një stres emocional shumë të ngjashëm me Ankthin e Separacionit që zhvillohet në foshnjëri dhe në vitet parashkollore.
Megjithëse të zemëruar me partnerin e mëparshëm dhe mobesues, secili tregon preokupim për tjetrin dhe shpeshherë edhe xhelozi. Ata vazhdojnë të jenë “të etur” për të rejat e partnerit që mungon. (Eshtë duke parë ndonjë tjetër tani që është ndarë me mua? Me kë shkoi në festë?).
Jo të gjithë njerëzit e divorcuar përjetojnë këtë lloj ankthi të dhimbshëm, por vetëm ata që kërkojnë divorcin me qëllim që të martohen me dikë tjetër. Ndarjet ku bëhet e qartë se pajtimi është i pamundur, të dy partnerët priren të pushtohen nga vetmia.—(vazhdon)
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik….
Burimi: Hetherington and Camara, 1984; /// Golan, 1981