Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…
Depresioni është një fenomen i hasur shpesh në kohët e sotme.
Dikush i lodhur nga intensiteti i ditës e dikush tjetër i vetmuar si pasojë e një kulture moderne gjithnjë e më individuale.
Fëmijë me lidhje të dobëta familjare si dhe problemet socialkulturore përgatisin një terren të favorshëm për shfaqjen e depresionit në formën e traumave dhe çrregullimeve psiko-fýzike.
Nëse fëmija ka një prind me depresion, ka një përqindje nga 25% deri në 50% për të qenë dhe vetë i tillë, ndërsa për ata fëmijë që prindërit u vuajnë herë pas here nga depresioni, mundësia rritet deri në 75%.
Por depresioni më tepër i atribuohet kushteve të jashtme se sa gjeneve. Situatat traumatike në jetë si braktisja, dhuna në familje, problemet kronike në shkollë, divorci i prindërve ose edhe lindja e një fëmije tjetër në familje, rezultojnë në depresion te fëmijët që janë në periudhën e formimit.
Mërzitja ose vuajtjet e lehta nuk janë domosdoshmërisht depresion. Nëse femija ndihet i trazuar, nuk është për t’u shqetësuar, por nëse kjo situatë zgjat me javë dhe kjo ndikon dhe marrëdhëniet që fëmija ka me ambientin që e rrethon mund të quhet klinikisht depresion.
Gati shumica e fëmijëve në depresion nuk shprehen që janë të pa kënaqur, por kanë mungesë dëshire për të luajtur, qajnë shpesh, kanë probleme me të ushqyerit dhe orarin e gjumit, irritohen kur u flasin ose i prekin.
Në mosha pak më të mëdha depresioni është më shumë se sa një gjendje e paqëndrueshme shpirtërore, kjo shoqërohet me një pesimizëm të theksuar, e bëjnë njeriun të ndihet i pashpresë, i pandihmueshëm, i pavlefshëm, shpesh duke folur dhe për vdekjen ose vetëvrasjen.
Vihet re ngadalësim i të folurit dhe i lëvizjeve si edhe momente euforie të papritura.
Humbja e përqëndrimit, irritimi kronik, performanca e dobët në mësime, vështirësia për t`u shoqëruar me moshatarët janë pasoja që duhet të tërheqin vëmendjen e prindrit për të marrë masat e duhura.
Fëmijëria e hershme është periudha e cila mendohet si periudhë pa brenga dhe e lumtur, por sipas hulumtimeve të fundit thuhet se depresioni mund të paraqitet edhe tek parashkollorët madje edhe tek fëmijët e moshës tre vjeç.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…