Shkruan: Denada QUKU, Psikologe…..
Njeriu për nga natyra është qenie kurioze dhe reflektuese, me një trup kimik brenda një trupi fizik, pra dualitet trup dhe shpirt, në përmbajtjen e pastër të të cilave gjendet energji që buron nga Krijuesi i tij. I dënuar siç është, me “lirinë” “për të bërë zgjedhje me vullnetin e tij të lirë”, njeriu do të gjykohet një ditë.
Vazhdimisht merremi vetëm me trupin dhe kërkesat e tij, ndërsa me shpirtin shumë pak, ose në raste fatkeqësishë personale, ose kur kemi arritur moshen e tretë. E keni vënë re që edhe 24 orëshi i ditënatës duket sikur ecën më me shpejtësi e ne na duhet t’i lemë punët përgjysëm për t’i vazhduar të nesërmen, një të nesërme që nuk e kontrollojmë dot për shkak të shumë faktorëve që nuk janë në dorën tonë?
Ata që studiojnë teologji shprehen se ky relativizim i kohës është një nga shenjat e fundit të Ditës së gjykimit. Por, sa të pregatitur jemi ne për të? Sa e kemi pregatitur shpirtin ne për të? Të mos harrojmë që kemi investuar vazhdimisht për pjesën fizike tonën që nuk jeton më shumë se 100 vjet, dhe pak apo aspak për shpirtin, i cili do të jetojë në botën tjetër përjetësisht.
Një reflektim i vogël mbi ndodhitë e fundit që kemi përjetuar, të tilla si tërmetet, veçanërisht ai i 29 nëntorit dhe së fundmi, virusi “me kurorë” që po i tmerron njerëzit më teper se sa ka efekte vdekjeprurëse, na bën të mendojmë se këto janë sinjale të cilat Krijuesi po ua dërgon shpirtërave tanë, në mënyrë që këta të fundit të mos humbasin lidhjen me Të, por ta forcojnë edhe më tutje atë lidhje të vendosur që në Botën e shpirtërave, para se ne të trupëzoheshim.
Për lidhjen me Krijuesin kanë folur shpesh dhe filozofët si Sokrati e Platoni, sipas të cilëve lumturia e pafundme gjendet vetëm kur të jemi me Të. Prandaj, në këto ditë pushimi shikoni anën pozitive të ngjarjeve për të gjetur veten e “humbur” në vorbullën e halleve të përditshme të jetës.
Reflektoni dhe lutuni, pasiqë vete lutjet në pesë vaktet ditore ju ruajnë si nga ana higjenike, por edhe nga ana e ankthit të krijuar, sepse vetë uljet e kokës në sexhde (99 herë) dhe pjesëve të ndryshe të gjymtyrëve ju mbajnë larg stresit, duke mundësuar kështu shkarkimin e pesë çakrave kryesore të trupit.
Të mos harrojmë të themi që, në kohë të tilla jo të zakonshme, edhe lutjet e besimtarit kanë më shumë shanse të gjejnë pranim tek konsiderata e Krijuesit, i Cili, në sajë e për hirë të tyre, me vullnet dhe dëshirë të Vet, mund të ndryshojë për ne edhe kaderin tonë.
Të mos e nënvlerësojmë faktin që Krijuesit i vjen turp t’ia kthejë lutjen mbrapsht besimtarit, e veçanërisht atij besimtari që kërkon të rilidhet sërisht me të. Prandaj, shfrytëzojeni këtë situatë, duke forcuar lidhjet me Të! Forconi lidhjet me prindërit, familjen, miqtë, si dhe duajini e silluni me të tjerët, ashtu siç do dëshironit të silleshin ata me ju! Vetëm në këtë mënyrë do të rigjeni dashurinë për Krijuesin dhe veten. Vetëm kështu do të kuptonit qëllimin e vërtetë të jetës dhe rëndësinë e të bërit mirë, pa pritur shpërblim nga njerëzit, por vetëm nga Ai që di t’i mbajë mirë llogaritë.
Shkruan: Denada QUKU, Psikologe…..