Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…
Çrregullimet e spektrit të autizmit manifestohen si dëmtim në ndërveprimin social, dëmtim në komunikim, kufizim të interesave dhe shtim të sjelljeve repetitive (të përsëritura).
Deficitet sociale dallojnë autizmin nga çrregullime të tjera zhvillimore. Zhvillimi i pazakontë social bëhet i dukshëm në fillim të fëmijërisë.
Fëmijët me autizëm kanë dëmtime sociale dhe nuk fitojnë perspektivën e tjetrit, as ndjejnë si të tjerët. Fëmijët me autizëm nuk reagojnë ndaj stimujve sociale dhe as respektojnë normat sociale.
Ata nuk kanë mirëkuptim social, nuk bashkëveprojnë me të tjerët spontanisht, nuk imitojnë dhe as u përgjigjen emocioneve të të tjerëve.
Fëmijët me autizëm nuk zhvillojnë interesa. Ata nuk e ndajnë veten nga të tjerët, as të tjerët nga vetja. Ata kanë mungesë të theksuara interesash, mungesë përqendrimi në aktivitete, mungesë interesi për larminë, atashim në një program TV, objekt apo ritual. Ata obsesohen me objekte që lëvizin ose bartin lëvizje, po edhe ato nuk i njohin e as i përdorin për qëllime të ndryshme.
Fëmijët me autizëm nuk arrijnë të komunikojnë qartë nevojat e tyre. Ata mësojnë me vështirësi sjellje të thjeshta dhe kanë vështirësi të transferojnë të mësuarën në mjedise të reja. Të folurit e tyre ka trajtën e ekolalisë ose afazisë globale. Në vend të gjuhës, ata përdorin sjelljen, sidomos për të shprehur nevojat bazë.
Fëmijët me autizëm shfaqin forma të ndryshme të sjelljeve përsëritëse, si: tundja e duarve, lëshimi i tingujve, lëkundja e trupit. Ata karakterizohen nga sjellje kompulsive si ndjekja e rreptë e rregullave apo rendit. Ata janë të ngurtë në rutinat e tyre.
Shumë prej fëmijëve të diagnostikuar me autizëm kanë ndjeshmëri të shtuar ndaj lëvizjes, janë rezistentë ndaj ndryshimit, këmbëngulës, të pashpjeguar në natyrën e tyre, të atashuar me objekte sidomos kur zhvendosjen/lëvizin nga një vend në tjetrin.
Ata i duan ritualet. Kërkojnë modele të njëjta të aktiviteteve të përditshme, menu fikse, rroba të preferuara, lodra të preferuara. Një pjesë e fëmijëve autikë kanë sjellje vetëlënduese: pickojnë lëkurën, godasin kokë, fytyrën, përplasin trupin, etj.
Fëmija me autizëm jo vetëm që kryen lëvizjeve stereotipike, mund të tolerojë dhimbjen e madhe, por qan shumë kur vritet sadopak. Mësuesi, prindi e psikologu shikojnë jo vetëm për praninë e lëvizjeve tipike, kryesisht të dorës, po edhe të kërcimit të trupit përpara, të qëndrimit në majë të gishtave, të prekjes së fytyrës ose flokëve.
Një pikë shiu, uji i dushit mbi lëkurë, era e parfumit, kremi në lëkurë mund të jenë tortura për fëmijën dhe mund të prodhojnë reagime negative dhe shmangie nga angazhimet. Ai trembet nga lëvizjet e befta, bezdiset nga tegeli në rroba apo çorape, refuzon të ecë në rërë ose zbathur, qëndron në majë të gishtave. Ka shije eksesive (preferon shumë të ëmblat, të thartat, djegëset ose të kripurat me tepri). Një pjesë e tyre kanë dëshirë të rrotullohen në vend, të hidhen dhe të kërcejnë pa kuptim, të ecin duke u hedhur, të jenë gjithmonë në lëvizje.
Në disa raste, fëmijët me çrregullim të lëvizjeve stereotipike mund të mos jenë në gjendje të identifikojnë pjesët e trupit, mund të kenë frikë nga errësira, janë të çrregullt, nuk dinë ku i kanë sendet personale, kanë vështirësi të tregojë karakteristikat fizike (formën, madhësinë, cilësitë, temperaturën, peshën, etj.) të figurave dhe objekteve. Një pjesë e tyre nuk kanë fare tension muskulor, lodhen shpejtë, e kanë të vështirë të kthejnë dorezën e derës, të hapin kapakët e tenxheres, dritaren, të mbajnë librin. Gabimisht, këta fëmijë mund të konsiderohen “dembelë”, “ ”, “të painteresuar”.
Nuk ka ende një shkak të qartë për autizmin, por ka shumë shkaktarë të supozuar të tij. Diagnostikimi i tij bëhet duke komunikuar me fëmijën, duke vrojtuar ndërveprimin social, duke ndjekur cilësinë e angazhimit në aktivitete dhe duke analizuar format e shprehjes së interesave.
Meqenëse shumë nga sjelljet e repertorit të autizmit janë të njëjta/ngjashme me sjellje të disa çrregullime të tjera (PKU), rekomandohet që fëmija të bëjë testet e rekomanduara nga mjeku me qëllim që të përjashtohen diagnoza të mundshme mjekësore.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…