Shkruan: Ergita ZAJMI, Psikologe klinike….
Në pamje të parë, bullizmi i ngjan talljes. Disa fëmijë i tallin fëmijët e tjerë në mënyrë të përsëritur. Ndonjëherë, disa fëmijë mund t’i tallin të tjerët, sepse duan t’i lëndojnë ose t’i lënë jashtë lojërave. Në këto raste, tallja bëhet bullizëm. Kërkuesit janë përpjekur prej vitesh ta përcaktojnë bullizmin.
Olweus (1987) e ka përcaktuar bullizmin, si “një fenomen që ndodhë kur një individ, i pa’aftë të mbrojë veten, ekspozohet në mënyrë të përsëritur dhe për një periudhë të gjatë kohe ndaj dëmtimit të qëllimshëm nga një ose disa të tjerë, në mënyrë direkte ose indirekte”.
Pra, bullizmi shfaqet në formën e agresionit fizik ose psikologjik. Bullizmi fizik përfshin goditjen, kafshimin, shtyrjen, shkelmimin dhe marrjen e sendeve personale, ndërsa ai psikologjik përfshin abuzimin verbal, vendosjen e nofkave, gjestet kërcënuese, fshehjen e vazhdueshme të sendeve të tjetrit, përjashtimin nga aktivitetet e dëshirueshme.
Në praktikë, format e ndryshme të bullizmit ndodhin së bashku. Vajzat janë më të prirura drejt bullizmit verbal, ndërsa djemtë drejt atij fizik.
Shumë njerëz mendojnë se bullizmi fillon në shkollë, mirëpo ai mund të ndodhë edhe te fëmijët parashkollorë. Shpeshë gjatë viteve të hershme, bullizmi nuk vihet re, pasi është e vështirë të bësh dallimin mes eksperimentimit social normal dhe sjelljes bulliste. Një nivel i caktuar agresiviteti është normal te fëmijët parashkollorë. Megjithatë, sjellja e tejkalon normalitetin kur fëmija kënaqet duke i parë të tjerët të lëndohen ose kur kërkon mënyra për të shkaktuar dhimbje apo lëndim te fëmijë të tjerë.
- Shenja fizike: si gërvishtje, të prera, nxirje, ankesa për dhimbje koke ose dhimbje stomaku pa shkak, gjumë i pakët, lagie të shtratit, rroba të grisura.
- Shenja emocionale: si ankth, nervozizëm, distres, palumturi, të qara, tërheqje, ndryshime të papritura në sjellje, vështirësi për t’u përqendruar, zemërohet shpejt, mban sekrete, është i palumtur edhe në fundjavë.
- Frikë e papritur për të shkuar në çerdhe/kopsht: Fëmija nuk dëshiron të shkojë në çerdhe/kopsht, qëndron afër edukatoreve, e ka të vështirë të bëjë pyetje ose t’u përgjigjet pyetjeve të edukatores, nuk merr pjesë në aktivitete, ulet vetëm, shmang kontaktin me sy kur e pyet për çerdhen ose kopshtin.
- Shenja të tjera. Fëmija thotë se po e tallin, përqeshin, kërcënojnë, dhunojnë. Mund të flasë shpesh për një fëmijë që “sillet keq me të”etj.
Pse disa fëmijë bëhen ushtrues të dhunës/ bullista?–Disa nga specifikat e fëmijëve abuzues/ bullista
Stili i prindërimit refuzues: –Shpesh ndodh që prindërit nuk komunikojnë më fëmijën e tyre, e kjo bën që fëmija të ndihet keq dhe në faj, se problemet dhe shqetësimet brenda familjes janë për shkak të tij.
Një prind injorues, fizikisht ndodhet në ambientet e shtëpisë, por pa frikë mund të themi se do të krijonte më pak pasoja, po të mos ishte fare aty duke luajtur këtë rol braktisës. Si pasojë e mos plotësimit të nevojave të fëmijës, nëpërmjet stilit të tij prindërues, sjell mos komunikimin me fëmijët, dhe pa’aftësi për t’ju përgjigjur emocionalisht nevojave të tij.
Përpjekja e disiplinimit, tek metoda e terrorizimit, për të ndëshkuar fëmijët nga “gabimet” që mund të bëjnë. Këta lloje prindërish, mund ta vendosin fëmijën e tyre përpara kritikës ose dënimit, me qëllim edukimin e tij, pa kuptuar pasojat e veprimeve të tyre tek fëmija. Ata mund ta kërcënojnë me goditjet, rrahjet, duke e mallkuar, sharë dhe ofenduar, duke e braktisur, e në raste ekstreme me kërcënimet me vdekje.
Përdorimi i taktikës së izolimit prindi apo kujdestari që abuzon me fëmijën duke përdorur izolimin e tij, mund të mos e lejojë atë që të përfshihet në aktivitete të moshës me fëmijët e tjerë, mund ta mbyllë fëmijën në dhomën e tij apo më keq, akoma në banjo, duke mos e përkrahur daljen e tij në shoqëri; ose e ndalon fëmijën që të marrë pjesë në aktivitetet jashtëshkollore, kjo si një formë ndëshkimi me qëllim vendosjen e tij në pozita reflektimi dhe edukimi!
Fëmijët e dhunuar karakterizohen nga mungesa e besimit ndaj njerëzve që i rrethojnë ata. Kjo shpjegohet me faktin se duke qenë të dhunuar edhe nga individë të tillë shumë të dashur që presupozohen të kujdesen për ata, fëmijët nuk munden të krijojnë marrëdhënie besimi me njerëz të tjerë.
Ju nënshtrohen dhunës, dhe këta fëmijë nuk kanë tendencë dhe dëshirë të kërkojnë ndihmë, për të shpëtuar nga ajo situatë. Dhunimi fizik është kushtëzuar nga eksperiencat e tyre, ku askush nuk është kujdesur për ta.
Në të tilla rrethana ata nuk janë mësuar të kujdesen për veten, për nevojat e tyre dhe nuk kanë aftësinë ta konsiderojnë këtë një përgjegjësi të tyren. Ata janë fëmijë që nuk dinë të qajnë, të ankohen, dhe tregohen manipulues për sjelljet dhe emocionet që përjetojnë, duke u shfaqur ndryshe nga e vërteta e tyre e dhimbshme.
Kjo më pas, edhe në psikoanalizën e një të rrituri, mund të sjellë çrregullime të mundshme të personalitetit të tij, deri në çrregullimin antisocial të personalitetit, ku karakteristikë kryesore e këtij çrregullimi, është mungesa e aftësisë për të kuptuar dhe ndjerë dhimbjen e tjetrit.
Kjo mungesë e një aftësie jetike, i bën ata agresivë, të dhunshëm, duke i shtyrë deri në vrasje. Ata janë në përpjekje të gëzojnë gjithçka që mund t’u afrohet, pa patur shumë pretendime.
Kanë tendencë të krijojnë natyrë introverte, të mbyllur në vetvete, jo të komunikueshëm, vuajnë shumë brenda vetes, ndajnë shumë pak ose aspak nga eksperiencat e tyre të dhimbshme me të tjerët. Nuk gjejnë paqe me veten për shkak të ngjarjeve shokuese dhe traumatizuese që kanë përjetuar. Përjetojnë ankth me intensitet të lartë, edhe për gjëra të vogla.
Kanë të zhvilluar ndjenjën e turpit dhe komplekse inferioriteti nga situatat në familjen e tyre, dhe përpiqen me çdo kusht që ta shmangin këtë problem, duke e kanalizuar shpesh në sjellje problematike.
Këto mekanizma mbrojtës, manipulues dhe role të vazhdueshme të largimit nga vetja për atë që përjetojnë, i bën ata në disa raste të ftohtë, të egër, shpërthyes dhe të paparashikueshëm. Ata janë apatikë, pa dëshira, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre, pa iniciativë dhe zemërakë.
Midis fëmijëve të abuzuar, hasen edhe fëmijë që kanë tregues të prapambetjes mendore, fillimisht të moderuar, por që po nuk u trajtuan, ata mbartin rrezikun e përkeqësimit, duke kaluar në nivele me të avancuara dhe të rënduara të prapambetjes mendore.
Fëmijët e abuzuar nga të riturit përjetojnë një bllokim dhe ndërprerje te zhvillimit normal të rritjes së tyre fizike dhe psikologjike. Kjo ndërprerje mund të shprehet në formën e mos kapërcimit të fazave të rritjes, duke çuar në fiksimin në një fazë të hershme të zhvillimit.
Kini parasysh se: shumë nga problemet e zhvillimit sjellor të fëmijëve, vijnë pikërisht nga përdorimi i dhunës, dhe se individë të rritur me karakteristika problematike “të ndryshme”, mund të jenë ekuacioni shkak/pasojë, shkaktari, fëmija i abuzuar dje, pasoja, i rrituri problematik sot.
Shkruan: Ergita ZAJMI, Psikologe klinike….