Shkruan: Mariglena MUÇI, Pedagogji speciale…..
Komunikimi është një element shumë i rëndësishëm në jetën e gjithsecilit, për të ndërtuar “urat” e bashkëpunimit me njëri- tjetrin.
Mbyllja e shkollave dhe qëndrimi në shtëpi na i kanë vështirësuar shumë komunikimin e drejtpërdrejtë, ballë për ballë . E vetmja mundësi, mbetet ajo e komunikimit virtual. Ata të cilët përballem më tepër me këtë vështirësi janë fëmijët me nevoja të veçanta dhe veçanërisht ata me disleksi.
Fëmijët dislektikë krahas shumë sfidave të tjera, në rritjen e tyre, përballen edhe me vështirësitë në komunikim, për shkak të mos përpunimit dhe kujtimit si duhet të informacionit. Fjala” disleksi” rrjedh nga greqishtja dhe do të thotë “vështirësi me fjalët”.
Njerëzit me këtë gjendje kanë vështirësi në përpunimin dhe kujtimin e informacioni, që lexojnë dhe dëgjojnë. Shkronjat të cilat ata përpiqen t’ i bashkojnë “kërcejnë” dhe e bëjnë të pamundur formimin e plotë të fjalëve dhe leximin e rrjedhshëm.
Shumë studiues mendojnë se kjo vjen nga shkaqe gjenetike, neurologjike ose të pjekurisë. Këto vështirësi mund të jenë të ndryshme për njerëz të ndryshëm dhe fillojnë nga më të lehtat tek më të vështirat. Për këtë arsye ata ndiejnë nevojën e një terapisti ose mësuesi mbështetës për të punuar. Në këtë situatë që ndodhemi terapistët më të mirë mbeten prindërit! Për këtë arsye po listoj disa këshilla që duhet të kenë parasysh prindërit për punën me fëmijët e tyre.
Së pari – Kini durim!
Gjëja e parë që duhet të bëni është të jeni të qetë dhe të durueshëm sindomos në situatën që ndodhemi. Sa herë të mërziteni ose të irritoheni ose të mendoni se po humbni durimin merrni një moment frymë dhe mendoni se nëse kjo mund tu duket e vështirë për ju, kjo është mënyra sesi është gjithë jeta e këtyre fëmijëve dhe se ata janë ndoshta më të irrituar se ju. Prandaj mundohuni të ruani qetësinë dhe të ndihmoni fëmijën tuaj!
Krijoni një ambjent të qetë!
Fëmijët me disleksi kanë nevojë për udhëzime të qarta dhe të sakta, për këtë arsye duhet të qëndroni në një vend të qetë, pa zhurma që t’i shpërqëndrojë dhe të punoni me kujdes dhe durim me fëmijën. Duke e udhëzuar hap pas hap, madje edhe duke ia përsëritur 2-3 herë, në mënyrë që të jetë më e kuptueshme për fëmijën. Më pas ndihmojeni ta shkruajë në fletore dhe ta lexoni sëbashku me zë të lartë, në mënyrë që ti memorizohet më mire.
Përdorni figurat( pamje vizuale)!
Fëmijët me disleksi janë shumë vizualë, kështu që e kanë më të lehtë të shprehen ose komunikojnë nëpërmjet tyre. Prandaj ju mund t’i tregoni fëmijës tuaj një veprim, objekt ose sjellje të caktuar nëpërmjet figurave. Më pas mund të bëni emërtimin, ta ndihmoni, të shkruajë fjalën dhe ta lexoni sëbashku. Pse jo, t’ia demostroni një veprim drejtpërdrejt nëpërmjet gjesteve, shenjave, gjuhës së trupit, në mënyrë që fëmija ta fiksojë më mirë.
Përdorni shkronjat!
Vështirësia më e madhe tek fëmijët disleksikë qëndron tek shkronjat. Ato të cilat, ata nuk arrijnë t’i bashkojnë dhe shkruajnë si duhet, e kështu rrjedhimisht të kenë vështirësi me leximin dhe shkrimin. Për këtë arsye është mirë që ju t’i ndani ato nëper etiketa të vogla dhe ta ndihmoni fëmijën që duke zgjedhur shkronjat të formojë fjalë. E rëndësishme është të përdorni një material ( letër ose karton) me ngjyrë që të tregojë edhe ndarjen.
Dëgjojeni dhe bëjini pyetje!
Mos lejoni që izolimi në shtëpi të jetë dhe izolim i brendshëm për të, sepse mbyllja në vetvete është shumë problematike për zhvillimn e tyre. Prandaj jepini mundësinë fëmijës të shprehet, të tregojë diçka ose të përsëritë atë që mund t’i tregoni ju më parë. Dëgjojeni me vëmendje çfarë thotë dhe bëjini pyetje të ndryshme, në mënyrë që të zhvilloni aftësinë e tij për tu shprehur lirshëm.
Jepini mundësinë të zhvillojë kreativitetin!
Lëreni fëmijën të krijojë ashtu si dëshiron ai, ose duke pikturuar, ose duke krijuar diçka me plastelinë dhe mjete të tjera, sepse bota e tyre është shumë e pasur. Më pas kërkojuni fëmijëve të tregojnë se çfarë kanë bërë. Kjo mënyrë të shprehuri është një mjet i mirë komunikimi për të zbuluar fëmijën tuaj.
Kujdes! Çfarë është listuar më lart janë të rëndësishme për fëmijët tuaj!
Qëndroni në shtëpi dhe ndihmojini fëmijët tuaj, madje dhurojini sa më shumë dashuri!
Askush nuk mund ta bëjë më mirë se Ju!
Shkruan: Mariglena MUÇI, Pedagogji speciale…..