Shkruan: Mirlinda CANOLLI, Gjuhë dhe letërsi shqipe….
Dhuna e organizuar, shkatërrimet sjellin pasoja fatale për të gjithë grupmoshat e popullsisë veçanërisht për fëmijët. Kjo sepse dihet që fëmijët janë qënie më të pafuqishme si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht. Megjithkëto atyre u duhet të përballojnë realitetin, të përshtaten me kushtet e krijuara, me mënyren e re të jetesës.
Ata duhet të gjejnë forca për të përballuar traumën në të cilën ndodhet familja e tyre dhe ata vetë. Për fëmijët agresivë dhe hiperaktivë sigurisht që këto pasoja janë më të rënda.
Ata kërkojnë më shumë kohë për tu përshtatur ndaj ndryshimeve, reagojnë me rritje të agresivitetit. Mundet që një fëmijë të jetë edhe agresiv edhe hiperaktiv.
Një fëmijë hiperaktiv dallohet se bën lëvizje të shumta, ka një vëmendje të pamjaftueshme, është i papërqëndruar, impulsiv. Një fëmijë agresiv dallohet se përpiqet të jetë dominant mbi të tjerët, është imponues. Këtu nuk duhen futur ata fëmijë që e kanë në natyrë sigurinë, autoritetin ndryshe nga fëmijët agresivë.
Cilat janë shkaqet e agresivitetit dhe hiperaktivitetit?
Deri tani si shkak i mundshëm i hiperaktivitetit është menduar të jetë: mosfunksionimi normal i trurit, që mund të ketë ardhur si pasojë e lindjes, apo të jetë shkaktuar gjatë lindjes. Ky lloj dëmtimi nuk paraqet ndonjë rrezik të madh dhe zakonisht nuk ka shenja neurologjike. Tek këta fëmijë aftësitë njohëse dhe motore nuk janë në nivele të kënaqshme. Ata nuk janë në gjendje të mbledhin gjithë informacionin që u duhet për të marrë vendime.
Këta fëmijë nuk duhet të konsiderohen si fëmijë me vonesë mendore. Duke u ofruar ndihmë dhe mbështetje në një të ardhme, këta fëmijë mund të jenë të suksesshëm.
Prindërit e tyre shpesh ndihen të lodhur dhe të pashpresë. Fëmijët hiperaktivë janë tepër të ndjeshëm ndaj keqtrajtimeve fizike, pasi ky keqtrajtim rrit dozën e hiperaktivitetit. Të gjitha këto rregulla e këshilla kanë të njëjtën rëndësi si për prindërit, ashtu edhe për kujdestarët, mësuesit, të rriturit e tjerë që janë në kontakt me fëmijët.
Po të gjykojmë lidhur me shkaqet e agresivitetit, shohim se ai është i lidhur me mjedisin, familjen ku jeton fëmija, sjelljen e prindërve, mënyrat që zgjedhin ata për të disiplinuar fëmijët.
Veçojme dy grupe faktorësh që ndikojnë në sjelljet agresive.
- 1 Ngjarje të përkohshme, të cilat mund të percipitojnë e të bëhen shkak për sjellje agresive të fiksuara (rrethana në familje, grindje, sjellje agresive të anëtarëve të familjes).
- 2 Përvoja e mëparshme e fituar nëpërmjet të mësuarit, kur fëmija mëson se një qëllim mund të arrihet përmes një sjelljeje agresive, kështu që kjo sjellje bëhet modeli i gjithë sjelljes së tij.
Problemet dhe vështirësitë që kanë fëmijët në sjellje varen shumë nga rrethanat në të cilat ndodhet fëmija, nga qëndrimet e ndryshme të prindërve. Do të flasim tani për disa prej tyre. Shpesh prindërit të ndodhur në situata kritike, humbasin shumë nga rolet dhe detyrat e tyre prindërore. Bëhen të pavëmendshëm ndaj kërkesave të fëmijëve, nuk arrijnë të kuptojnë nevojat e tyre. Kështu fëmijët bëhen depresivë, shpërthejnë me agresivitet ndaj tyre. Nëse fëmija keqtrajtohet në mënyrë të vazhdueshme nga prindi, atëherë ai do të rritet si një individ i dhunshëm dhe do të jetë tepër agresiv me të tjerët. Kur prindërit apo të rriturit e tjerë janë më tepër tolerantë seç duhet, bëhen shkak për lindjen e sjelljeve agresive e problemeve të tjera të sjelljes. Kur e gjithë familja ndodhet në stres, apo disa prej anëtarëve të saj ndodhen në situata pa rrugëdalje, krijohet një gjendje tensioni e ankthi që ndikon tek fëmijët duke rritur stresin emocional të tyre.Në këto momente fëmijët kërkojnë më shumë kujdes dhe vëmendje nga prindërit.
Duke qënë se fëmija hyn në një gjendje stresi, nuk ka kujdes dhe vëmendje të mjaftueshme, nevojat e tij mbeten të paplotësuara. Ai reagon me agresivitet ndaj të rriturit që kujdeset për të, prindit, vëllait, apo motrës më të vogël, shokëve etj.
Shpesh tek fëmijët ky agresivitet është pasiv, pra vihen re sjellje agresive pasive.
Ky lloj agresiviteti në vetvete nuk është i hapur, armiqësor, por mund të jetë shumë i fuqishëm në mendjen e fëmijës. Kjo paraqet rrezikshmëri edhe për të ardhmen e fëmijës.
Vihet re se fëmijët kanë një tendencë: të identifikohen me të rriturit. Kjo paraqet rrezikun e identifikimit me të rritur agresivë dhe fëmijë të tjerë agresivë. Ekziston edhe rreziku i identifikimit me grupe shokësh të cilët janë agresivë, p.sh në qëndra të mëdha ku ka shumë grupe refugjatësh, ky fenomen bëhet tepër shqetësues.
Ndjenja e zemërimit tek një fëmijë mund të jetë pasojë e një ndjenje të fshehur agresiviteti. P.sh zemërimi i një fëmije një vjeçar është i lidhur me kujdesin e papërshtatshëm ndaj tij, ndaj shqetësimeve të tij fizike. Në vitin e dytë dhe të tretë ky zemërim lidhet me autoritetin e prindërve, sidomos në lidhje me kontrollin e nevojave të fëmijës, tualetit e higjenës së tij. Po të ecim në vite do të shohim se edhe shkaqet e zemërimit të fëmijës janë të ndryshme.
Shkruan: Mirlinda CANOLLI, Gjuhë dhe letërsi shqipe….