Shkruan: Alborena HYLVIU, Psikologe klinike…
Bullying është një term psikologjik i kohëve të sotme që i shqipëruar do të thotë “kërcënim” dhe tregon fenomenin e sjelljeve të përsëritura, agresive, të dhunshme me karakter psikologjik, fizik, që ju bëhet fëmijëve adoleshentëve të pambrojtur e të vetmuar, nga një individ ose grup individësh të tjerë edhe këta njësoj moshatar ose më të mëdhenj të cilët kërkojnë të diskriminojnë, keqtrajtojnë, abuzojnë me bashkënxënësit si ata nëpër shkolla.
Bullizmi zakonish kryhet në një përqindje me të madhe nga djemtë që duan të bëjnë të fortin ose të parin në shkolla, por po shikohet një rritje e përqindjes dhe nga vajzat të cilat dëshirojnë të jenë kundër natyrës femërore, të sillen si djemtë ,të shajnë, të dhunojnë ,të poshtërojnë viktimat e tyre.
Bullizmi, sidomos brenda klasës shfaqet mes atyre personave që nuk janë të barabartë në forcë dhe që kanë interes të pakët për shkollën e mësimet.
Ai shfaqet tek ata nxënës që nuk kanë koncept të drejtë për përdorimin e forcës, që duke e ndjerë veten jo mirë në problematikën ditore, mundohen të tërheqin edhe të tjerë me vete dhe që e konsiderojnë forcën si mjetin kryesor të jetesës.
Por bullizmin , me qëllime jo të mira ndonjëherë e ushqen edhe familja. Kemi patur raste kur ka ardhur prindi në shkollë dhe kur ne i kemi kërkuar ndihmë për djalin i cili shfaq sjellje të dhunshme , me mburrje na është përgjigjur: “ nëse djali im nuk i del zot vetvetes, haram i qoftë c’kam bërë për të, të mos më vijë më në shtëpi!” “-Ç’është ky gjykim- i thamë. Kurrë një prind nuk duhet të mendojë kështu! Mirë kur djali yt është më i madh dhe i fuqishëm dhe i mposht të tjerët, por kur ata janë më të fuqishëm se ai, si ti bëhet , ta rrahin e të arrijnë deri në vrasje!?”
Bullizmi në shkollë është një dhunë që përsëritet e shfaqet në forma të ndryshme, prandaj eliminimi i tij varet shumë nga puna e kujdesshme e psikologut, mësuesit kujdestarë, kolektivi i klasës ,me qëllim që çdo nxënës ta kontrollojë dhe menaxhojë sa më mirë sjelljen dhe veprimet e tij, jo vetëm brenda por edhe jasht shkollës.
Dhuna fizike e drejtpërdrejtë përfshin veprime të tilla si shtytja, gjuajtja, grushtimi ose shkelmimi. Dhuna verbale e drejtpërdrejtë mund të marrë format e të bërtiturit ndaj tjetrit, vendosjen e nofkave, përdorimin e shprehjeve fyese ose bërjen e kërcënimeve verbale.
Lloji tjetër i bullizmit është jo i drejtpërdrejtë (sulmet bëhen në mënyrë të mbuluar). Ai emërtohet si bullizëm marrëdhënor ose bullizëm social.
Bullizmi social është shpërndarja e thashethemeve duke dëmtuar ose ndëshkuar një person, ose duke e përjashtuar apo izoluar atë nga bashkëveprimi social me bashkëmoshatarët.
Mësuesit, edhe pse janë në vijën e parë të kontaktit me incidentet dhe fenomenin e bullizmit në shkollë, përballen me shumë pengesa sa i takon përballjes dhe adresimit të duhur të tij.
Fokusi i vazhdueshëm i administratës shkollore në arritjet akademike dhe mungesa e mjeteve mbështetëse, i detyrojnë administratorët të lënë jashtë konsideratës trajnimet psiko-sociale dhe shërbimet mbështetëse për stafin pedagogjik.
është arritur të kuptohet se tërësia e programeve të ndërhyrjes në adresë të bullizmit mund të ndërmerren nga psikologët shkollorë nëse ata zotërojnë njohjen e plotë të bullizmit si fenomen dhe aftësi të caktuara për ta menaxhuar atë.
Të gjitha programet, si ato me bazë shkollën, edhe ato që e trajtojnë shkollën si komunitet, i njohin psikologut shkollor përgjegjësinë e të qenit aktori kryesor në identifikimin dhe trajtimin e rasteve të bullizmit.
Shkruan: Alborena HYLVIU, Psikologe klinike…