Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…
Kjo periudhë fillon me ndryshime të mëdha në jetën e fëmijës-shkuarjen në shkollë. Shkuarja në shkollë përputhet me ndryshimet e rëndësishme në të menduarit e fëmijës. Fëmija atëherë hynë në fazën e ashtuquajtur të menduarit operativ konkret. Ai bëhet i aftë të kryej punë komplekse mendore, që bazohen në vëmendjen dhe ballafaqimin konkret.
Në këtë periudhë fëmija zhvillonë aftësitë e tij për të menduarit simbolik dhe abstrakt, vëren lidhjet logjike në mes të gjërave, drejtësinë në ngjarje dhe vetitë e përhershme të gjësendeve dhe të njerëzve. Ndërkohë pasurohet fjalori i tij dhe kompleksiviteti i mënyrës së të shprehurit.
Kjo është periudha kur fëmija mëson mjeshtëritë elementare të të shkruarit dhe llogaritjes, ndërsa njohuritë fillestare mbi botën, njerëzit dhe veten fillon t’i zëvendësoj me njohuritë themelore, të cilat i fiton në shkollë.
Pas vitit të 13-të të jetës fillojnë lëkundjet e reja në zhvillimin kognitiv, që është si pasoj e pjekurisë biologjike, mirëpo edhe përvojave të reja nga interaksioni me rrethin.
Të menduarit nuk zhvillohet vetëm në nivelin konkret por mund të orientohen edhe në atë abstrakt, në tematikat e përgjithshme ose në disa gjendje ose ndodhi potenciale në të ardhmen.
Në aspektin kognitiv kjo është periudhë e ndërrimeve të mëdha, mirëpo edhe kërkesave dhe provokimeve të shumta që rrethi ia ofron fëmijës. Zhvillohet aftësia e të ashtuquajturit të menduarit formal, përgjithësimit dhe përdorimi i tematikave dhe simboleve abstrakte, aftësia e planifikimit dhe zgjidhja e problemit, të ardhurit në përfundim, parashikimet dhe qëndrimi kritik ndaj rrethit. Rritet kapaciteti i të mbajturit mend afatgjatë dhe afatshkurtër, ndërsa fëmija fillon me vetëdije të përcjellë procesin e tij të mësimit dhe të mbajturit mend.
Në këtë periudhë mund të hasim edhe vështirësitë specifike që lidhen me të mësuarit në shkollë. Këto mund të jenë vështirësi në orientimin dhe mbajtjen e përqendrimit, hiperaktivitetin, vështirësi në lexim ( dislexia ), në të shkruar ( disgraphia ) dhe llogaritje ( discalculia ).
Këto vështirësi mund të lehtësohen ose largohen me shumë sukses përmes ndihmës profesionale, ashtu që fëmija të mos mungoj në shkollimin e rregullt.
Në sferën emocionale fëmijëria e mesme ndryshe quhet edhe periudha “latente” ose e “shpresës”.
Ndërrimi kryesor ndodhë në lidhje me ndjenjën e frikës. Humbet frika tipike e fëmijërisë së hershme ( frika nga errësira, nga njerëzit e panjohur, nga ndarja prej prindërve ).
Mirëpo këto i zëvendësojnë disa të reja, siç është frika nga shkolla. Kjo frikë shpesh është pasoj kur prindërit presin shumë, si dhe mospërshtatshmërisë së aftësive të fëmijës dhe të kërkesave të shkollës ndaj tij. Këto frika janë të shpeshta edhe te fëmijët e dëbuar, apo te stresuar, të cilët vijnë në një rreth tjetër të ri.
Përveç dëshirës dhe vuajtjes për shtëpinë e lënë, ata i mundonë dhe druajnë se si do t’i presin nxënësit dhe mësuesit e rinj, a do t’i plotësoj kërkesat e ambientit të ri.
Përveç kësaj, pjekuria kognitive, pamja reale e ndodhive në rreth, çon edhe deri te ankthi dhe frika në lidhje me vdekjen e vetvetes dhe vdekjen e të afërmve. Rrethi social përfshin prindërit, shkollën dhe moshatarët. Fëmijët e moshës shkollore formojnë ” grupe “, në të cilat ekziston dallim i qartë mes udhëheqësve dhe ithtarëve.
Bëhen edhe dallime në shoqërimin e djemve dhe vajzave: vajzat krijojnë lidhje intensive, të thella shoqërore, ndërsa djemtë kanë rreth të gjërë të shokëve dhe të njohurive.
Në këtë periudhë gati të gjithë fëmijët ndonjëherë gënjejnë ose i ofendojnë të tjerët. Sjellja agresive varet më së tepërmi nga pranimi dhe sjelljet agresive në familje, në mes moshatarëve, dhe në TV nga filmi.
Nga fundi i periudhës së fëmijërisë së mesme deri diku bie gatishmëria për ndihmë dhe bashkëpunim, ndërsa rritet motivi garues, vetjak, por edhe ai i zemërgjërësisë.
Vetërespektimi i fëmijës varet pjesërisht nga mendimi i tjetrit, mirëpo edhe nga suksesi në kryerjen e detyrave të ndryshme, suksesi në shkollë dhe simpatia te moshatarët. Në këtë periudhë është shumë me rëndësi që t’i ofrohet fëmijës që përveç shkollës të marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera, në të cilat do të gjejnë shprehje disa nga veçoritë specifike ose talenti i tij dhe kështu t’i ngritet vetërespektimi.
Kjo është periudha kur vendosen disa nga vetitë e përhershme të temperamentit dhe karakterit.
Hulumtimet kanë treguar e pjesët më stabile të personalitetit prej fëmijërisë së hershme e deri te periudha e rritur është agresiviteti dhe shoqërimi. Pikërisht periudha e fëmijërisë së mesme është e përshtatshme për organizim të përbashkët të aktiviteteve, në të cilat fëmijët do të ushtrojnë ato mjeshtëri sociale ( p.sh. komunikimi i hapur, zgjidhja pa dhunë e konfliktit, tolerimi i mendimeve të ndryshme ), të cilat do t’i mundësojnë përshtatje më të mirë sociale.
Sa më të rritur të jenë fëmijët, më mirë do t’i kuptojnë ndjenjat, disponimin dhe tendencat e të tjerëve. Kështu, me përmirësimin e përkujdesjes dhe ndjeshmërisë sociale, zhvillohet edhe kompetenca sociale e tyre, gjegjësisht aftësia që më lehtë të merren vesh me të tjerët, që më leht t’i realizojnë të drejtat e tyre, mirëpo edhe të tregojnë gatishmëri dhe ndihmë.
Në periudhën e fëmijërisë së mesme zhvillimi moral i fëmijës hyn në fazën e moralit konvencional, në të cilën fëmija i ndjek rregullat e jashtme të sjelljes dhe ka afinitet për respetimin e autoritetit ( të prindit ose të mësueses). Në këtë periudhë gjykimi në mes të mirës dhe të keqes rrjedh nga adaptimet elementare të normave morale në shoqëri.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…