Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….
Kemi thënë se 2-3 vjeç është mosha e fjalës. Gjithashtu 5 – 7 vjeç është mosha e mendimit. Deri në këtë moshë fëmijët flenë natën, por edhe ditën. Ndodh shpesh që fëmijët të ndërrojnë oraret e gjumit, të kërkojnë të flenë për një kohë të gjatë ditën. Kur ndodh kjo, gjë do të thotë se ka ndodhur diçka.
Nuk duhet gabuar dhe t’i thuhet një katërvjeçari: “Ç’bën gjithë ditën në gjumë! Çohu, luaj me shokët!” Ndonjëherë fëmijët, të cilët mund të jenë të mërzitur për ndonjë arsye, shërojnë vetveten duke fjetur
ditën. Kjo mund të ndodhë për shembull kur lind një fëmijë tjetër në shtëpi. “Fle edhe unë si i vogël, se
imitoj të voglin” dhe kështu ulet rivaliteti.
Ndodh që fëmijë të kësaj moshe të kërkojnë të kthehen te gjiri nga xhelozia dhe dëmtohen rëndë kur u thuhet: “Jo. Ti je i madh!” Është njëlloj si t’iu thuash: “Ti je i madh. Nuk ke nevojë për nënë.” Fëmija mund të sikletoset edhe kur i thuhet: “Fli me zor!”.
Është shumë e rëndësishme që fëmija të flejë kur i flihet dhe jo kur i thoni ju. Për këtë ndihmohet duke u krijuar rutina para gjumit, si: puthjet, përshëndetjet, përkëdheljet, të cilat mund të jenë dhe të përsëritura. Një kukull me vete ose një arush për të fjetur bashkë, imiton situatën nënë-fëmijë dhe e ndihmon fëmijën. Veçanërisht nëse fle dhe i rrituri, fëmija e vlerëson gjumin si një gjë të mirë dhe jo si dënim.
Nuk i duhet thënë fëmijës: “Mbylli sytë!” kur shkon në shtrat. Nëse fëmijët kanë kërkesa për të mbajtur dritën ose derën hapur, ato duhen plotësuar patjetër. Ka fëmijë që kanë frikëra të natës ose zgjime nga ëndrra dhe imazhe, si gogoli.
Për këtë psikologët mendojnë se është e vlefshme që gjatë ditës të luajë me ju symbyllazi në mjediset e shtëpisë. Kështu ai do të mësojë të rrijë pa shikuar, duke e kaluar këtë sprovë gëzueshëm, në lojë me prindin.
Gjithashtu, për fëmijë më të rritur, mund të mbahet te koka e krevatit letër dhe lapsa vizatimi. Në zgjimet e frikshme natën nga gogoli (ujku) i thuhet fëmijës ta vizatojë menjëherë gogolin (ujkun). Edhe nëse ai bën vetëm një vizë të drejtë, kjo vizë gogol e bën gogolin e ëndrrës të vërtetë, duke i ulur vlerën.
Rreth moshës 5 – 6 vjeçare fëmijët shohin ëndrra për vdekjen e prindërve. Është shenjë e një tensioni dhe agresiviteti që gjendet edhe gjatë ditës, siç janë vjedhjet e vogla të fëmijëve ose lojërat me shpata, thika, pushkë. Në këtë moshë fëmijët mund të ndihen në faj, si kriminelë të vegjël dhe është detyra juaj të mos ia merrni seriozisht, ta qetësoni dhe lehtësoni.
Në vite të tilla ëndrrash dhe shqetësimesh, është shumë i vlefshëm aktiviteti gjatë ditës me mbjellje lulesh, bimësh, lojë në det ose rërë. Lojërat e rërës së lagur shpesh çlirojnë fantazmat e natës.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….