Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….
Në moshën 5 vjeç, fëmija krijon identitetin e tij brenda familjes. Kryesore për ta është që të kuptojnë qartë rolin që kanë në familje. Prindërit janë të kënaqur kur fëmijët fillojnë bëjnë miqësira jashtë shtëpisë. Ndërkohë, këto marrëdhënie mund të ndikojnë për mirë ose për keq në sjelljen e fëmijës.
Nxitja e individualitetit të fëmijës ndihmon në të njëjtën kohë për të përcaktuar kufijtë e sigurt, brenda të cilëve zhvillohet kjo lëvizje e re e fëmijës jashtë shtëpisë.
Në kohën kur fëmijët kërkojnë të dalin jashtë rrethit familjar, duhen nxitur të merren me gjimnastikë, not, kërcim, mësim të muzikës dhe veglave muzikore.
Shpeshherë ju i drejtoni fëmijët në gjërat që ju pëlqejnë vetë, si sporti për baballarët, koncertet për mamatë. Por duhet të jeni të gatshëm edhe të pranoni që fëmijët tuaj mund të mos të pëlqejnë të njëjtat gjëra që pëlqeni ju. Atëherë duhet të përpiqeni të zbuloni së bashku interesat e fëmijës.
E rëndësishme është që ju të mbeteni lidhësi dhe shoqërues në aktivitetet e fëmijës jashtë familjes. Marrëdhëniet në familje janë leksione të vërteta për jetën, në sytë e fëmijës.
Ju mund të kujtoni fëmijërinë tuaj, kur nga prindërit ju është kërkuar të kujdeseni për fëmijët më të vegjël ose kur mbaheshit me hatër, se ishit fëmija i parë apo djali i vetëm i shtëpisë. Fëmijët e trajtuar gjithmonë si të vegjël mund të kenë përfitime brenda shtëpisë, por shpesh janë edhe të fyer.
Fëmija i parë ka një marrëdhënie të veçantë me familjen. Ai zë një vend të rëndësishëm në jetën tuaj. Por ndërkohë, në moshën 5 vjeç, kur ai del jashtë shtëpisë, gjen diçka të panjohur. Kjo është e bukur, por edhe e frikshme për fëmijën.
Një 5-vjeçar mund të fillojë të ketë zili fëmijët më të vegjël që vazhdojnë të rrinë në shtëpi me nënën, të sigurt dhe pa qenë nevoja të vihen përpara vështirësive. Edhe ju mund të mos të dini ç’të bëni: të rrini me të voglin, apo të shoqëroni më të madhin.
Situata bëhet edhe më e komplikuar, sepse edhe fëmija më i vogël në shtëpi sikur ndihet fajtor pasi bëhet pjesëtar “sekret” me nënën e tij kundrejt fëmijës së madh.
E vetmja mënyrë për ta trajtuar këtë situatë është të njohim vështirësitë e një fëmije 5-6 vjeç jashtë dhe ndjenjat e tij, të njohim xhelozinë dhe trishtimin e tij, ndonjëherë edhe agresivitetin. Në të njëjtën kohë, t’i tregojmë atij, dashuri dhe interes si dhe të vlerësojmë aktivitetet që ai bën.
Ju mund të gjendeni përballë situatës së vështirë me një 5 vjeçar, kur ai bëhet xheloz për vëllain ose motrën më të madhe që ka më shumë liri, më shumë argëtim dhe më shumë privilegje. Ata janë ziliqarë dhe kuriozë për jetën e më të madhit.
Grupi i moshatarëve përmes lojrave e bën 5 vjeçarin të kuptojë aftësitë, por edhe paaftësitë e tij. Tani ai duhet të përballojë mo-shatarët, sepse edhe ata mund të jenë më të zotë se ai dhe mund të argëtohen
më shumë se ai.
Në këto kushte, mund të ndodhë që një fëmijë 5-6 vjeç bëhet i ndrojtur në grupin e moshatarëve jashtë mjaft i ashpër, agresiv dhe i pasjellshëm me fëmijët më të vegjël brenda shtëpisë.
Jashtë ai është i trembur, brenda ka një rol kryesor. Edhe në këtë rast ju duhet të ndërhyni, jo vetëm
për ta qortuar për sjelljet brenda shtëpisë, por edhe për ta mbështetur në aktivitetet me shokët ose në
kopsht.
Fëmija i dytë i familjes, në moshën 5-6 vjeçare, në botën e jashtme ka më shumë lehtësira, pasi ka një mbështetje, vëllain ose motrën më të madhe.
Por nga ana tjetër, ata ndihen keq që duhet të luftojnë shumë për t’u barazuar me të madhin. Mund të humbin një pjesë të besimit në vetvete dhe në aftësitë e tyre. Ju duhet:
• T’i ndihmoni fëmijët t’i kalojnë mirë këto ndjenja, që ata të rriten më të qetë.
• T’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se aftësitë dhe talentet e tyre do të jenë vazhdimisht krahas aftësive të vëllezërve dhe shokëve të tjerë.
• T’u tregoni fëmijëve se nuk është e nevojshme të jesh madhështor me çdo kusht.
• Shumë nga situatat e vështira për fëmijët mund të ndihmohen duke treguar për veten tuaj në moshë të vogël.
• Të tregoni interes për aktivitetet e fëmijës jashtë shtëpisë.
• T’i tregoni atij se vëllai apo motra më e vogël ka nevojë për kujdes, ashtu siç jeni kujdesur për të kur ai ishte i vogël. Nga një 5 – 6 vjeçar ju shiheni edhe si prindër, por edhe si persona të rritur. Në fillim ai ju ka imituar që të komunikonte me ju.
Por tani ju shikon me adhurim, si të përsosur dhe madhështorë, dhe ka ndjenja të ngatërruara për nënën dhe babain. Shumë nga sjelljet e fëmijëve lidhen me këto ndjenja. Vajzat bëjnë “vogëlushen” e babait dhe i bëjnë qejfin atij dhe djemtë bëhen Supermenë dhe fillojnë të bëhen “mbrojtës” të nënës së tyre.
Kujdes!
Nëse ju, personat më të rëndësishëm për jetën e tij nuk jeni të vëmendshëm dhe të kujdesshëm, është njësoj sikur mbreti dhe mbretëresha të mos të t’i hedhin sytë. Ata ndihen të trishtuar dhe të vetmuar dhe kërkojnë ngushëllim jashtë shtëpisë, edhe në persona të panjohur. Këtu vendoset rreziku i madh, nga i cili përfitojnë keqbërësit.
Nëse jeni të detyruar të punoni me orë të zgjatura dhe të jeni larg fëmijëve, atëherë duhet të keni parasysh:
• Të mbani lidhje të ngushtë me edukatoret e kopshtit apo të rriturit që kanë kontakt me fëmijën tuaj.
• Të përfitoni nga orët e mbrëmjes për të bërë bisedat e darkës, ku fëmijët të kenë mundësi të ndajnë me ju të gjitha emocionet e ditës.
• Të tregoheni të vëmendshëm ndaj çdo interesi të ri të fëmijës dhe ndaj çdo ngjarjeje.
• Të kujdeseni të merrni pjesë në aktivitetet e fëmijëve: garat, sportet, koncertet, ditëlindjet.
• Të mbeteni gjithmonë persona të besueshëm në sytë e fëmijës, të mbani fjalën e dhënë dhe të respektoni oraret e premtuara.
• Të siguroni kushte që shtojnë sigurinë e fëmijës në këtë moshë, duke u përpjekur të jetoni në të njëjtën shtëpi dhe nëse detyroheni ta ndërroni shtëpinë, të ruani disa nga sendet dhe mobiljet, si krevati, lodrat e tij më të dashura etj.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…