Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….
Faktorë kryesorë që ndikojnë në zhvillimin intelektual në fëmijërinë e hershme janë lodrat adekuate dhe të llojllojshme, programet e përshtatshme televizive dhe forma tjera stimulimi, të cilat fëmija i fiton në aktivitetet e përbashkëta ose në lojë me prindërit ose me moshatarët.
Në zhvillimin itelektual ndikon mjaft edhe angazhimi në programet në çerdhe apo kopshte fëmijësh, të cilat përmbajnë komponentin edukativ. Prandaj, është shumë me rëndësi që përmes shembujve në këto programe të organizohen lojëra, ashtu që aktivitetet të jenë të drejtuara për të ndikuar në zhvillimin e aftësive dhe të shkathtësive të caktuara.
Fëmijëria e hershme është poashtu periudha e mësimit të roleve gjinore dhe krijimit të kuptimit mbi identitetin personal.
Në vitin e tretë fëmija mund të caktoj gjininë e fëmijës tjetër, më së shpeshti në bazë të karakteristikave të jashtme. Kjo është periudha kur fëmijët fillojnë të tregojnë ndryshimet në sjellje: djemtë bëhen agresiv, kurse vajzat tregojnë më tepër ndjeshmëri dhe interesim për raporte me të tjerët. Këto ndryshime në sjellje rrjedhin me qëllim, por edhe pa qëllim, me veprimet edukative, të cilat janë të drejtuara për formimin e sjelljes së fëmijës në përputhshmëri me idetë e shoqërisë lidhur me karakteristikat e dëshirueshme dhe të padëshirueshme të meshkujve dhe të femrave.
Deri në fillim të shkollës fëmija ka përvetësuar shumë shkathtësi dhe në bazë të përvojave të përditshme ka fituar ide të caktuara lidhur me botën që e rrethon dhe veten.
Të mësuarit në periudhën parashkollore shpesh bëhet nga përvoja dhe spontanisht, kurse zhvillohet krahas aktivitetit të pamvarur dhe lojës apo mësimit sipas shembullit ( modelit ). Shembujt më të rëndësishëm, të cilët fëmija i kopjon, janë prindërit, por edhe vëllezërit dhe motrat.
Me rëndësi është të përmendet se fëmijët sillen ashtu si sillen prindërit e tyre, e jo ashtu si prindërit iu thonë atyre të sillen. Me fjalë të tjera, nëse prindërit shajnë, kurse fëmijës ia ndalojnë atë, ata më parë do të sillen në përputhshmëri me atë çka shohin dhe dëgjojnë, sesa të respektojnë ndalesën apo këshillat.
Duke i vështruar prindërit ose vëllezërit dhe motrat si shembuj, fëmija shpejt vëren se disa sjellje, të cilat janë të ndaluara, për to nuk ka kurrfarë pasoja dhe se ndonjëherë për to edhe shpërblehen.
Pikërisht kjo është periudhë e jetës kur mësohen disa forma të posaçme të sjelljes sociale, që janë kyçe për formimin e cilësive të personalitetit në moshën madhore.
Në zhvillimin social ndikojnë shumë veprimet e prindërve ndaj fëmijës dhe mënyra e komunikimit në familje. Në raportin mes prindit dhe fëmijës janë konstatuar tri tipe karakteristike të sjelljes: i balancuar ose autoritativ, që nuk lëshon pe, ose autoritativë dhe që lëshon pe ose permisiv.
Hulumtimet kanë treguar se stili i balancuar i sjelljes bazohet në ngrohtësinë emocionale por edhe në respektimin e nevojave të fëmijës për pavarësi.
Gjatë kësaj prindërit janë konsekuent dhe të qartë në vendosjen e kufijve rreth asaj se çka është e lejueshme, ashtu që vazhdojnë t’ia shpjegojnë fëmijës veprimet e veta dhe nuk dëshirojnë të hyjnë në konflikt me të. Fëmijët e këtyre prindërve në përgjithësi tregojnë shenja të përshtatjes më të mirë sociale dhe pjekuri emocionale.
Nëse prindërit nuk janë tolerant, janë emocionalisht të ftoht dhe gjithmonë i kufizojnë sjelljet e fëmijës, janë gjasat më të mëdha se këta fëmijë do të bëhen të dyshimtë, agresivë dhe jo të shkathët. Nëse prindërit mbajn qëndrim ne mbrojtjen e tepruar të fëmijës, me siguri fëmija do të bëhet i varur dhe emocionalisht jostabil. Kjo shpesh te fëmijët krijon ndjenjën e pasigurisë, vështirësi në përshtatje, që ndërlidhen me vendosjen e kufijve në sjellje me personat tjerë.
Në këtë periudhë fëmijët tregojnë shumë forma të sjelljes asociale dhe prosociale. Ata janë të gatshëm për ndihmë, për lojë të përbashkët, por dinë të sillen edhe në mënyrë agresive. Hulumtimet kanë treguar se sjelljet agresive janë si pasoj e ndikit të shumë faktorëve.
Këta faktorë mund të jenë:
- a) frustrimi i përcjellur me mllefin dhe hidhërimin për shkak të mosrealizimit të ndonjë qëllimi,
- b) mbështetja e jashtme e asaj sjelljeje, p.sh. lavdërimi i prindit nëse e godet fëmijën që ia ka marr lodrën,
- c) të imituarit e prindërve agresivë, fëmijëve ose të personazheve nga televizioni,
- d) veprimi i tepërt i hormoneve të caktuara,
- e) ndjenja e vetëvlerësimit më të ulët për shkak të pamjes së jashtme joatraktive dhe refuzimi i moshatarëve që të luajnë me të. në këtë periudhë fëmijët i fitojnë shokët e parë mes moshatarëve të tyre, zakonisht të gjinisë, të moshës së njëjtë, si dhe të nivelit të aktivitetit dhe të energjisë të ngjashme me të veten. Me shokët fëmijët flasin, tregojnë kujdes ndaj tyre, dëshirojnë t’iu ndihmojnë dhe tregojnë mirëkuptim ndaj ndjenjave të tyre. Paralelisht me zhvillimin e faktorit seksual dhe krijimit të mendimit për veten fëmija fillon të shprehë edhe nevojën për pavarësi. Në këtë periudhë jetësore është me rëndësi të nxitet shoqërimi me moshatarët dhe kryerja e pavarur e atyre aktiviteteve për të cilat fëmija është i aftë dhe për të cilat tregon interesim.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….