Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…
Fëmijëria e hershme është periudhë që fillon nga viti i dytë e deri në vitin e gjashtë të jetës dhe përfundon me hyrjen në shkollë.
Në këtë periudhë zhvillimi trupor nuk është aq i shpejtë, por ende është i shprehur. Gjatë fëmijërisë së hershme fëmijët fitojnë shumë shkathtësi trupore, posaçërisht ato që përfshijnë punën e muskujve të vegjël të duarve dhe të gishtërinjëve, si dhe koordinimin e gjymtyrëve. Disa nga shkathtësitë e përbëra motorike të cilat fëmijët i kryejnë në këtë moshë janë: përputhja e katrorëve, vizatimi, lidhja e lidhësve të këpucëve etj.
Faktorët kryesorë të cilët mund të pengojnë zhvillimin normal në fëmijërinë e hershme, janë sëmundja, neglizhenca dhe keqtrajtimi trupor.
Keqtrajtimi është zakonisht një qark magjik, që paraqitet me disa vështirësi te fëmija ( agresivitet, ngacmueshmëri, hiperaktivitet ) dhe problemet e prindërve ( mosdija, durimi, papërgjegjësia ). Prindërit të cilët gjatë kohës së krizave vështirë ballafaqohen me streset jetësore: sëmundjet, papunësia, vështirësitë ekonomike, shpesh nuk kanë kohë të mjaftueshme e as forcë të merren me fëmijën.
Neglizhenca dhe keqtrajtimi i fëmijës mund të marrin përmasa serioze nëse janë të prishura marrëdhëniet mes prindërve, nëse prindërit kanë prirje për sjellje agresive dhe ballafaqim fizik, sidomos nëse në familje është prezent alkoolizmi.
Me rëndësi është të theksohet se neglizhenca dhe keqtrajtimi i fëmijës lënë pasoja afatgjata dhe të pavolitshme në zhvillimin psikofizik të tij. Poashtu është vërtetuar se fëmijët që përjetojnë keqtrajtimin fizik në familje, në moshën e rritur, janë të prirur për dhunë fizike. Ky qark mund të ndërpritet vetëm duke iu dhënë ndihmë profesonale prindërve e në disa raste ekstreme patjetër duhet të merret e drejta prindërore.
Burim i stresit në fëmijërinë e hershme mund të jetë edhe ndarja e prindërve ose lindja e fëmijës tjetër në familje. Këto ndodhi mund të shkaktojnë probleme emocionale, të cilat do të reflektohen në sjelljen e fëmijës. Pasiguria, anksioziteti, xhelozia, ndjenja e lënies anash dhe e fajit ( për arsye se fëmija mendon se ai është shkak i ndarjes ) mund të shkaktojnë agresivitet apo deprimim ( thyerje shpirtërore).
Mund të lajmërohet e ashtuquajtura sjellje regresive, kthim në disa forma të sjelljes, të cilat fëmija vetëm ” i ka kaluar” ( p.sh. urinimi ne shtrat, thithja e gishtit, të folurit si bebe, etj.). Është shumë e rëndësishme që në situata të tilla fëmijës t’i ofrohet kujdes dhe përkrahje në mënyrë që ai të ndihet i dashur dhe i mbrojtur me gjithë ndryshimet në familje.
Në mes të vitit të tretë dhe të gjashtë të jetës mendimi i fëmijëve është konkret, i lidhur me përjetimin e drejtpërdrejtë. Fëijët ndonjëherë nuk e dallojnë imagjinatën dhe realitetin, të gjallën nga e vdekura, as vetën në raport me të tjerët. P.sh. fëmija mund të tregoj se kënd e ka vëlla dhe motër, por nuk mund të përgjigjet në pyetje kush është vëllai ose motra e vëllait të tij.
Në këtë periudhë fëmijët ende nuk mund të zhvillojnë operacione logjike mendore si mbledhje, zbritje, shumëzim dhe pjestim, kështu që flasim për periudhën paraoperacionale të të menduarit. Kjo është periudha ku fëmija dëshiron të dijë sa më tepër për rrethin e vet kështu që vazhdimisht pyet.
Edhe pse prindërve këto pyetje ndonjëherë iu duken të pakuptimta dhe lodhëse, duhet që në to të përgjigjen sa më shumë që të mos shuhet kureshtja e fëmijës dhe nevoja për hulumtim, si dhe që të ruhet lidhja emocionale me fëmijën.
Në fëmijërin e hershme fëmijët ende nuk mund të kontrollojnë vëmendjen e tyre, ta drejtojnë ose ta mbajnë atë sikur fëmijët më të rritur.
Thënë në përgjithësi, trevjeçarët janë ” hulumtues “: ata me kureshtje dhe lojë i afrohen ndonjë gjësendi në rrethin e tyre, pastaj shpejt vëmendjen ua tërheq ndonjë gjë tjetër dhe ata vazhdojnë më tutje.
Megjithëkëtë, gjashtëvjeçarët janë ” gjurmues “, të cilët në bazë të planit të menduar sistematikisht, e hulumtojnë rrethin e tyre, e kohën më të gjatë mund ta kalojnë në kryerjen e ndonjë detyre ose loje të pavarur.
Paralel me zhvillimin intelektual lajmërohen edhe forma fillestare të gjykimit moral, i ashtuquajturi hedonizmi egocentrik. Fëmija gjykon mbi të mirën dhe të keqen në bazë të vlerësimit mbi pasojat e ndonjë ngjarjeje për të.
Periudha parashkollore poashtu është periudhë e zhvillimit intensiv të të folurit. Deri në vijimin e shkollës fëmija ka një fjalor prej rreth 5000 fjalë dhe mund të formoj fjali me dhjetëra fjalë.
Kjo është periudhë ku shumë fëmijë mësojnë t’i dallojnë ngjyrat, numrat, shkronjat, leximin. Mjaft zhvillohet edhe të mbajturit mend për një kohë të gjatë. Fëmija njeh shumë gjësende në rrethin ose në fotografi, di të tregoj përmbajtjen e ndodhive të caktuara ose përrallave, mund të këndoj ose të recitoj vjersha te shkurtra.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…